Integrimi

Faton Durmishi pret të zgjidhet në Parlamentin e Kantonit

Durmishi duket të jetë i vetmi shqiptar që deri më tash ka kandiduar për këtë parti (SVP/UDC)

Në zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit të Ticinos që po zhvillohen sot, kandidaturën e tij e ka paraqitur edhe shqiptarozvicerani i ri, Faton Durmishi. Ai garon për partinë e djathtë UDC (e njohur në zonën gjermanishtfolëse më shumë si SVP). Kështu, Durmishi duket të jetë i vetmi shqiptar që deri më tash ka kandiduar për këtë parti, duke e pasuruar spektrin politik të preferencave të shqiptarëve të këtushëm.

Fatoni ka votuar sot rreth orës 11 në kutitë e votimit në Osogna, bën të ditur për albinfo.ch një burim nga shtabi i tij zgjedhor. “Ndërsa edhe sot por edhe ditëve të kaluara ai ka marrë telefonata dhe mesazhe të shumta sidomos nga bashkatdhetarët për të dëshmuar mbështetjen e tyre dhe për t`i uruar suksese”.

“Gjatë fushatës zgjedhore në kanton ka pasur disa parregullsi gjatë votimit me postë dhe për to është iniciuar një dosje nga prokuroria përgjegjëse. Ka pasur skeda të votimit në shitje përmes internetit me çmimin 500 franga. Për këto veprime po akuzohen dhe janë nën hetime 7 veta, thotë për albinfo.ch remi Durmishi, nga shtabi zgjedhor i Fatonit. Ndërsa një kandidat i PRLT është akuzuar për keqpërdorime pasi ka bërë një foto si dëshmi me 30 skeda të votimit të cilat kanë qenë të mbushura me vota preferenciale për këmbim favoresh me një kandidate tjetër

Në një intervistë që albinfo.ch pati zhvilluar me Faton Durmishin ai e kishte arsyetuar kështu përcaktimin e tij për këtë parti gjegjësisht për koalicionin “E djathta”: “Ky koalicion më së miri mund t’i artikulojë dhe adresojë problemet me të cilat ne të gjithë po ballafaqohemi tani. Një tjetër arsye është se koalicioni i djathtë ku bëjnë pjesë UDC (SVP), Liberalët dhe UDF është koalicion i partive të djathta, të cilat si shtylla kryesore në programet e tyre e kanë familje e shëndoshë, shtetin e fuqishëm dhe sovran, ekonominë e tregut dhe sigurinë kombëtare. Prandaj këto janë edhe tipare kryesore të popullit tonë.

Ne si shqiptarë jemi patriotë, jemi njerëz që familjes i kushtojmë shumë rëndësi dhe i japim prioritet mbi të gjitha. Pra këto tipare i kam dhe i dua edhe unë. Si shqiptar dhe si zviceran. Arsye tjetër është se ne si popull, aktivistët tanë këtu, kanë mbajtur kontakte të mira dhe kanë krijuar ura me të gjitha partitë dhe institucionet, sidomos me të djathtët siç janë UDC. Dhe ky relacion i mirë dhe shumëvjeçar është pikërisht arsyeja që politikanët të kësaj partie të jenë në anën tonë, sa herë që ka qenë nevoja. Për dallim prej qëndrimeve e herë pas hershme që ka p.sh UDC në Zvicrën gjermane për sa i përket shqiptarëve”, arsyeton kandidaturën me të djathtët”.