Muzikë

Sonte hap siparin “Kino Kosova”: 5 net me filma shqip në Bernë

Për pesë ditë do të shfaqen mbi 30 filma dokumentarë e artistikë, nga Kosova, Zvicra dhe diaspora. Portugalia është vendi mysafir i festivalit

Sonte bëhet hapja e festivalit “Kino Kosova”, në Bernë. Është edicioni i gjashtë i këtij festivali i cili, me çdo edicion të ri po shënon rritje në sasi dhe në cilësi.

Kësaj here, filmdashësit do të kenë rastin që për pesë ditë ose mbrëmje, të shohin mbi 30 filma të përzgjedhur, dokumentarë e artistikë, të metrazhit të shkurtë e të gjatë, nga Kosova, Zvicra dhe diaspora. Vend mysafir i festivalit këtë vit do të jetë Portugalia. Krahas filmave do të ketë edhe debate, koncerte dhe ekspozita të arteve pamore.

Programi i festivalit hapet sonte nga ora 20.00 në Zentrum für Kulturproduktion (Progr) Waisenhausplatz 30 3011 Bern.

Albinfo.ch edhe kësaj here është sponsor medial i festivalit.

Edicioni i gjashtë i “Kino Kosovës” zhvillohet nga 10 (sonte) deri më 14 shtator nën temën “Sense of Purpose”, që pasqyron tensionin midis ndjenjës së humbjes dhe gjetjes së forcës, duke sfiduar audiencën të reflektojë mbi rolin e artistit dhe komunitetit artistik në kohë të trazuar, shkruan albinfo.ch.

Drejtori artistik, Sabahet Meta, thekson se festivali synon të krijojë hapësira ku publiku mund të gjejë frymëzim dhe të ndjejë lidhjen me ngjarjet kulturore dhe politike në vend dhe botë.

Në program janë përfshirë filma nga regjisorë kosovarë si Samir Karahoda, Norika Sefa, Ilir Hasanaj, Ibër Deari, Besim Ugzmajli, Florenc Papas, Belkis Bayrak, Aulona Fetahaj, si dhe një numër filmash nga Portugalia, mysafire e këtij edicioni, në kuadër të programit “Close-up: Portugal”. Zgjedhja e saj lidhet drejtpërdrejt me misionin që ka Kino Kosova: të trajtojë përmes filmit temat e migrimit, identitetit dhe përvojave të përbashkëta njerëzore, duke nxitur dialogun ndërkulturor. Pastaj, Kosova dhe Portugalia ndajnë një histori të rëndësishme në raport me Zvicrën. Të dy komunitetet kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të çmuar në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të vendit,  realitet që pasqyrohet edhe në kinematografinë e tyre.

Në Bernë do të takohen zërat e rinj të kinemasë kosovare me realizmin poetik të kinemasë portugeze. Programi i vendit mysafir është kuruar nga Cíntia Gil, e njohur për punën e saj në festivalin prestigjioz Doclisboa.

Eksplorimi i temave që lidhen me identitetin kulturor

 

Festivali gjithashtu përfshin programin “Swiss Shorts” dhe projektin “Re-Connect”, bashkëpunim mes artistëve të rinj nga Kosova dhe Zvicra për të eksploruar tema si identiteti, trashëgimia kulturore, demokracia dhe të drejtat e njeriut.

Muzika shqiptare është e pranishme me performanca nga Agona Sporta, ndërsa ekspozita e artistit Yll Xhaferi dhe dy panele diskutimi përforcojnë temën e festivalit.

“Kino Kosova” nuk është thjesht një festival filmi; ai funksionon si një platformë që lidh komunitetin shqiptar me atë zviceran, duke trajtuar çështje shoqërore, kulturore dhe politike dhe duke nxitur dialogun ndërkulturor.

Në këtë edicion publiku do të ketë mundësinë të shohë premierat zvicerane të filmave “Luna Park” dhe “Everybody Calls Redjo”.

Programi i Filmave

Edicioni i këtij viti sjell mbi 30 filma artistikë dhe dokumentarë, të gjatë e të shkurtër, që eksplorojnë ekuilibrin mes shpresës për një të ardhme më të mirë dhe sfidës për t’u përballur me realitetin.

Në një program të veçantë do të prezantohen edhe filma të shkurtër zviceranë, të kuruar nga John Canciani, drejtor artistik i festivalit Kurzfilmtage Winterthur.

Adriana Matoshi, në fokus të festivalit

Në qendër të vëmendjes është aktorja kosovare Adriana Matoshi, e njohur për rolet e saj në filma si Zana, The Marriage, Aga’s House dhe Cold November (aktualisht në Netflix), vepra që janë shfaqur në pesë vitet e fundit në Kino Kosova. Ndërsa në këtë edicion do të shfaqen dy filma me pjesëmarrjen e saj: “Luna Park” dhe “Everybody Calls Redjo”, që do të kenë premierën e tyre zvicerane në Kino Kosova.

Programi shoqërues

Në bashkëpunim me qendrën kulturore PROGR dhe partnerë të tjerë, festivali sjell një program të larmishëm: Rezidencë artistike (2 muaj), që do të kulmojë me një ekspozitë gjatë festivalit: Yll Xhaferi, artist ndërdisiplinor nga Kosova (pikturë & media digjitale).

Koncert live: Agona Shporta Quintet,  prezantimi i albumit të saj debutues “Hape Portën” (2024). 13.09.2025, ora 21:30, Turnhalle/PROGR.

After Party: Bacalhau 3000,  kolektiv zvicerano-portugezo-brazilian i DJ-ve.

Video Player

00:00
00:20

12.09.2025, ora 22:00 – Sonarraum/PROGR.

Dy diskutime në panel.

“Re-Connect”, Program i ri shkëmbimi me Dokufest

Për herë të parë këtë verë u realizua një program shkëmbimi me festivalin Dokufest në Prizren. Të rinj nga diaspora kosovare në Zvicër udhëtuan në Kosovë, ku bashkë me bashkëmoshatarët e tyre vendas krijuan filmat e tyre, nën mentorimin e ekipit të Dokufest. Në Bernë, këto vepra do të prezantohen për publikun.

Agona Shporta prezanton “Hape Portën” në Kino Kosova

Vokaliste dhe aranzhuese, Agona Shporta sjell albumin e saj debutues “Hape Portën” (2024), një rikrijim i guximshëm i muzikës popullore shqiptare të ndërthurur me tinguj bashkëkohorë dhe frymë improvizimi. Me zërin e saj evokues dhe qasjen e veçantë, Shporta lidh traditën me modernitetin, duke ofruar një përvojë muzikore të thellë dhe prekëse.

Asaj i bashkohen muzikantë të shquar nga Kosova: kitaristja Tringa Sadiku, pianisti Ilir Bajri, basisti Enver Muhamedi dhe bateristi Enes Beu. Së bashku krijojnë një peizazh tingujsh të rrënjosur në trashëgimi, por të mbushur me horizonte të reja.

Titulli i albumit “Hape Portën” është frymëzuar nga kënga “Hape Portën Moj Evropë”, një iso-polifoni e Jugut të Shqipërisë nga vitet ’90, që pasqyronte migrimet masive pas rënies së komunizmit. Në versionin e Shportës, kënga rinterpretohet në kontekstin e liberalizimit të vizave për Kosovën në vitin 2024, duke e zhvendosur fokusin nga vështirësitë e së kaluarës drejt një të ardhmeje më shpresëdhënëse.

Repertori i saj përfshin gjithashtu përpunime të këngëve klasikëve të Nexhmije Pagarushës dhe vënien në muzikë të poezisë së Xhevdet Bajrajt, duke ndërthurur temat e dashurisë dhe emocioneve njerëzore. Muzika e saj nderon të kaluarën ndërsa hap horizonte të reja për tingullin shqiptar.

Agona Shporta dhe ansambli i saj do të prezantojnë Hape Portën live në Kino Kosova Film Festival, më 13 Shtator, në Turnhalle/PROGR, Bernë.

Biletat janë të disponueshme në www.kinokosova.com.

Rreth  festivalit “Kino Kosova”

Kino Kosova u themelua në vitin 2019 nga Sabahet Meta, i cili dhjetë vite më parë u zhvendos në Zvicër duke sjellë frymën e Dokufest-it nga qyteti i tij i lindjes, Prizreni. Festivali është rritur vit pas viti dhe sot është i regjistruar si shoqatë jo-fitimprurëse. Ai i kushtohet kinemasë alternative, duke besuar në fuqinë e saj për të hapur horizonte të reja mendimi. “Synimi ynë është të krijojmë një hapësirë ku arti nuk mbetet vetëm një përjetim vizual në ekran, por bëhet një pikëtakim i njerëzve, ideve dhe përvojave. Një vend ku publiku jo vetëm shikon, por edhe reflekton, pyet, diskuton dhe ndan mendime. Në një kohë kur retorika përçarëse po fiton terren, besojmë se është më e rëndësishme se kurrë të ndërtojmë ura mes njerëzve”, shprehet Sabahet Meta.

https://www.kinokosova.com/de/praktische-infos/