Shkurt.ch

Socialdemokratët kundër kontingjenteve për të huajt

Ndër masat që propozojnë ata është krijimi i një fondi për integrim të të huajve. Ekonomia përfiton nga të huajt ndërsa koston e integrimit e bart shteti dhe kjo duhet të ndryshojë

Partia Socialdemokrate e Zvicrës (SP/PS) është e pakënaqur me sistemin e kontingjenteve për të huajt, të paraparë me iniciativën votuar muaj më parë nga zviceranët dhe ë futur ndërkohë edhe në kushtetutë. Për këtë parti, një sistem i tillë është kthim mbrapa dhe si i tillë, i papranueshëm.

SP dëshiron të frenojë po ashtu migracionin masiv por duke mundësuar shkollimin më masiv të shkencëtarëve, teknikëve dhe personelit mjekësor në vend. Po ashtu SP/PS kërkon shfrytëzim më të madh të potencialit për punë të femrave dhe të të moshuarve, në rast se kjo do të ishte ed domosdoshme edhe me masa detyrues ndaj punëdhënësve.

Ndërsa masa më interesante që propozojnë në këtë drejtim socialdemokratët është krijimi i një fondi për integrim të të huajve. Sipas tyre, ekonomia përfiton nga të huajt ndërsa koston e integrimit e bart shteti, dhe kjo duhet të ndryshojë. Ndryshimi do të bëhet ashtu që punëdhënësit do të financojnë një fond për integrimin e të huajve. Të hollat e këtij fondi do të shkonin vetëm në favor të të punësuarve të huaj dhe familjeve të tyre.

Ato do të përdoreshin për integrimin e tyre profesional, gjuhësor ose për përkujdesjen familjare. Sipas modeleve që propozon në këtë drejtim SP/PS, për secilin punëtor të ardhur nga jashtë punëdhënësi do të paguajë nga 5000 franga në emër të integrimit. Në këtë mënyrë, 60 mijë të ardhur nga jashtë brenda vitit do të “kushtonin” 300 milionë franga!