Kosova

Sipas mediave në Kosovë, mbi 60 të akuzuar nga Gjykata Speciale

Mbi 60 ish-drejtues dhe ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të akuzohen nga Zyra e Prokurorit të specializuar në Hagë, shkruajnë mediat në Kosovë

Derisa Gjykata Speciale pritet të filloj me akuzat e para nën dyshimet për krime lufte, mediat në Kosovë raportojnë për 60 ish guerilë të UÇK-s të dyshuar për krime. Siç raportin gazeta insajderi duke u thirrur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, aktakuzat nuk kanë të bëjnë vetëm me krime lufte, por edhe vepra tjera të kryera deri në fund të vitit 2000.

Insajderi ka mësuar se Azem Syla, Shukri Buja, Sokol Dobruna janë në mesin e të akuzuarve të parë.

Aktakuza e parë pritet të shpallet menjëherë pas shënimit të dhjetë-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ish-komandanti i UÇK-së, Azem Syla është njëri nga të parët që pritet të akuzohet dhe ekstradohet në Hagë. Mes drejtuesve të lartë të UÇK-së, të akuzuar do të jenë edhe Shukri Buja, Sokol Dobruna dhe Daut Haradinaj. Nën hetime për krime të rënda janë edhe presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli.

Thaçi, për rolin e tij si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, derisa Veseli për rolin e tij si shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

“Numri i të dyshuarve për të cilët janë siguruar prova të mjaftueshme është mbi 60 persona”, ka thënë një burim i afërt me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Azem Syla pritet fillimisht të akuzohet për rolin e tij si drejtues që në Kosovë njihet si ‘Bllaca 2’. Hetimet për këtë rast në Kosovë janë pezulluar. Rasti ka kaluar në Hagë”, ka thënë ky burim. Për rastin Bllaca, janë të dënuar 7 persona të cilët kanë kryer vrasje dhe sulme mbi njerëz të identifikuar si bashkëpunëtorë të Serbisë dhe aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shukri Buja, dyshohet për rolin e tij në disa krime gjatë dhe pas luftës. Mes tyre është një sulm mbi një familje shqiptare në Godanc të Lipjanit.

Ndërkaq, Sokol Dobruna dyshohet se si drejtues i Gjykatës së UÇK-së nuk i ka parandaluar arrestimet dhe vrasjet pa gjyq të shumë personave.

Kurse Daut Haradinaj dyshohet për rolin e tij në një rast që njihet si Radoniqi. Aty besohet se shqiptarë, serbë dhe romë janë vrarë dhe hedhur në Liqenin e Radoniqit. Bëhet fjalë për 39 viktima.

Një person në Kosovë ishte dënuar dhe e ka vuajtur dënimin për këtë rast të vrasjes së një gruaje civile shqiptare. Vrasja dhe hedhja e trupit të saj në një kanal kishte rezultuar me zbulimin e 39 viktimave tjera.

Idriz Gashi, i njohur si Galani është dënuar më 14 vjet burg për krime të luftës. Ai është shpallur fajtor për vrasjen e Sanije Balajt, më 12.08.1998 në pyllin e quajtur Lugu i Isufit në afërsi të fshatit Vranoc të Pejës nën dyshimin se e ndjera ishte bashkëpunëtore e serbëve.

Gashi kishte urdhëruar Avni Krasniqin dhe Idriz Balajn, që ta hidhnin trupin e Sanije Balajt në një  kanal të Gllogjanit, në afërsi të 39 trupave tjerë, të cilët ishin gjetur në shtator të vitit 1998, dhe ishin identifikuar në maj të 2007-ës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke hetuar edhe krimet që kanë ndodhur pas luftës, deri në fund të vitit 2000. Gjatë kësaj periudhe besohet se janë vrarë mbi 500 njerëz, shqiptarë, serbë dhe pjesëtarë tjerë.

“Gjatë kësaj kohe kanë ndodhur shumë krime. Prokuroria ka mandat dhe po i heton këto krime. Shumë njerëz janë vrarë e sulmuar. Ka ndodhur zhvendosje e popullsisë”, ka thënë një burim për Insajderin në kushte anonimiteti. “Mes krimeve janë duke u hetuar edhe vrasjet e kundërshtarëve politikë”, ka thënë burimi.

Një burim tjetër ka thënë se Prokuroria ka gjetur prova për rastin e vrasjes së Ekrem Rexhës, i njohur si komandant “Drini”. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mandat për hetimin e mbi 70 veprave penale në kuadër të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Prokuroria ka bazë ligjore për të hetuar dhe gjykuar krimet gjatë viteve 1998, 1999 dhe 2000. Lufta në Kosovë ka përfunduar zyrtarisht më 20 qershor 1999. Gjykata do të gjykojë krime që kanë ndodhur gjatë një viti e gjysmë pas luftës si vrasjet, dëbimin e pakicave, vrasjen e kundërshtarëve politikë, trafikimin.

Për disa vjet rresht pas luftës kanë ndodhur një seri vrasjesh të cilat, ndonëse të pazbardhura, janë cilësuar si vrasje me motive politike.

Më 23 nëntor të vitit 2000 këshilltari për informim i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Xhemail Mustafa, ishte vrarë në një atentat në hyrje të banesës së tij në lagjen “Dardania” në Prishtinë derisa po kthehej nga puna. Por, kjo vrasje, si shumë të tjera të konsideruara si “vrasje politike”, nuk është zbardhur.

Hetimet në fillim i kishte udhëhequr Policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i dhe më vonë ishte bartur tek EULEX-i. Sipas versionit të parë të dhënë në atë kohë nga Policia e UNMIK-ut bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, Xhemail Mustafa ishte vrarë nga dy persona në hyrje të banesës së tij në lagjen Dardania, teksa kthehej nga puna.