Lajme

Siguria nga zjarri dhe ndërtimi i qëndrueshëm në qendër të webinarit të parë të AES

Siguria nga zjarri dhe sfidat e ndërtimit të qëndrueshëm ishin në qendër të webinarit të parë të organizuar nga Shoqata Albanian Engineering of Switzerland

Në ligjëratën e tij në webinarin e Albanian Engineering of Switzerland, Inxhinieri i Sigurisë nga Zjarri Florent Lushta trajtoi sfidat e ndërtesave moderne, përdorimin e drurit në struktura të larta dhe teknologjitë bashkëkohore të analizës së zjarrit.

Siguria nga zjarri në ndërtesat moderne dhe sfidat e ndërtimit të qëndrueshëm ishin në qendër të webinarit të parë të organizuar nga Shoqata Albanian Engineering of Switzerland (AES), një aktivitet që mblodhi profesionistë shqiptarë të inxhinierisë nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë. Ligjërata kryesore u mbajt nga Inxhinieri i Sigurisë nga Zjarri Florent Lushta, ndërsa diskutimi u moderua nga Inxhinier Gjeodet Emilijano Hoxha.

Ky aktivitet shënoi hapjen e ciklit të webinareve profesionale që AES ka planifikuar gjatë vitit 2026, një nismë që synon të krijojë një platformë të strukturuar bashkëpunimi dhe shkëmbimi profesional mes inxhinierëve shqiptarë të diasporës. Përmes këtyre takimeve synohet ndarja e përvojave profesionale, diskutimi i zhvillimeve më të fundit në fushat teknike dhe forcimi i rrjetëzimit profesional mes ekspertëve që veprojnë në vende të ndryshme të botës.

Webinari u zhvillua në platformën Microsoft Teams dhe mblodhi pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Evropës, duke dëshmuar interesimin e madh për temat që lidhen me arkitekturën bashkëkohore, ndërtimin e qëndrueshëm dhe sigurinë teknike në ndërtesa. Pas prezantimit kryesor, aktiviteti vijoi me një diskutim të zgjeruar profesional, ku pjesëmarrësit parashtruan pyetje dhe ndanë përvoja nga projekte të ndryshme ndërkombëtare.

Në ligjëratën e tij, Florent Lushta trajtoi sfidat që lidhen me projektimin e ndërtesave moderne në një kontekst ku urbanizimi i përshpejtuar dhe ndryshimet klimatike po kërkojnë qasje të reja në arkitekturë dhe inxhinieri. Ai u ndal fillimisht te ndikimi që kanë zgjidhjet ekologjike në përmirësimin e klimës urbane, duke theksuar rolin e gjelbërimit urban dhe të materialeve natyrore në reduktimin e temperaturave në qytete.

Sipas analizave dhe ekspertizave të ndryshme, ndërhyrje të tilla mund të ulin temperaturën urbane deri në tetë gradë Celsius, duke zbutur ndjeshëm fenomenin e njohur si “ishulli i nxehtësisë urbane”, një problem gjithnjë e më i pranishëm në qytetet moderne.

Në këtë kontekst u theksua edhe një paradoks energjetik që po vërehet në Evropën Perëndimore: gjatë verës shpenzohet më shumë energji për ftohjen e ndërtesave sesa gjatë dimrit për ngrohjen e tyre. Ky realitet e bën edhe më kompleks projektimin e ndërtesave të reja, veçanërisht në rajonet alpine si Zvicra, ku standardet e ndërtimit dhe kërkesat për efikasitet energjetik janë ndër më të lartat në Evropë.

Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua përdorimit të drurit në ndërtim, një material që në dekadat e fundit po rikthehet në qendër të arkitekturës bashkëkohore si alternativë e qëndrueshme ndaj materialeve tradicionale. Në shumë projekte moderne, druri përdoret jo vetëm në fasada, por edhe si element strukturor në shtylla, dysheme dhe struktura mbajtëse.

Gjatë webinarit u përmendën edhe projekte të realizuara në Zvicër ku ndërtesa mbi 30 metra të larta janë ndërtuar kryesisht me konstrukcione druri, ndërsa pjesët e poshtme të strukturës realizohen me beton për të garantuar stabilitet shtesë. Kjo qasje hibride, që ndërthur materiale të ndryshme ndërtimore, konsiderohet një nga drejtimet më të rëndësishme të arkitekturës bashkëkohore.

Megjithatë, përdorimi i drurit në ndërtesa të larta paraqet sfida të veçanta për inxhinierinë e sigurisë nga zjarri. Rreziku nuk lidhet vetëm me djegien e materialit, por edhe me dobësimin e elementeve mbajtëse të strukturës në rast të temperaturave të larta. Për këtë arsye projekte të tilla kërkojnë koncepte të integruara të sigurisë nga zjarri, ku ndërthuren dimensionimi strukturor, sistemet aktive të mbrojtjes dhe planifikimi i kujdesshëm i rrugëve të evakuimit.

Në prezantim u shpjeguan gjithashtu fazat kryesore të zhvillimit të zjarrit nga këndvështrimi i inxhinierisë së zjarrit: faza e ndezjes, faza e përhapjes dhe fazat e avancuara të zhvillimit të flakës dhe të tymit. Nëse ndërhyrja realizohet në fazën e hershme, zjarri mund të kontrollohet përmes sistemeve automatike të shuarjes ose ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse.

Sipas standardeve ndërkombëtare të ndërtimit, elementet strukturore dimensionohen në mënyrë që të garantojnë një rezistencë ndaj zjarrit prej të paktën 60 minutash, duke siguruar kohën e nevojshme për evakuimin e njerëzve dhe ndërhyrjen e shërbimeve emergjente.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i trajtuar gjatë webinarit ishte përdorimi i metodave moderne të analizës së zjarrit. Inxhinieria bashkëkohore përdor simulime të avancuara kompjuterike për të analizuar zhvillimin e zjarrit dhe përhapjen e tymit në ndërtesa. Një nga metodat më të përdorura është Computational Fluid Dynamics (CFD), e cila mundëson modelimin tredimensional të rrjedhës së ajrit, përhapjes së tymit dhe ndryshimeve të temperaturës në hapësira të ndryshme.

Këto analiza përdoren jo vetëm në ndërtesa, por edhe në tunele, industri mekanike dhe sisteme komplekse transporti. Në këtë kontekst u përmend edhe bashkëpunimi me institucionet infrastrukturore si SBB, ku simulime të tilla përdoren për të analizuar përhapjen e zjarrit dhe të tymit në infrastrukturë hekurudhore dhe në sisteme transporti me kompleksitet të lartë teknik.

Gjatë diskutimit u përmend edhe rasti i zjarrit katastrofal në Crans-Montana, i cili kishte nxitur reflektim të gjerë në komunitetin profesional. Sipas analizave të përmendura gjatë webinarit, një nga problemet kryesore kishte qenë fakti se daljet e emergjencës nuk kishin qenë të planifikuara dhe të funksionalizuara sipas standardeve të kërkuara, ndërsa disa prej tyre kishin qenë të mbyllura ose të bllokuara, duke vështirësuar evakuimin e personave në ndërtesë. Ky rast u përdor si shembull për të theksuar rëndësinë e projektimit korrekt të rrugëve të evakuimit dhe respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë nga zjarri.

Pas prezantimit pasoi një diskutim i gjerë profesional i moderuar nga Inxhinier Gjeodet Emilijano Hoxha, ku pjesëmarrësit diskutuan mbi praktikat bashkëkohore të projektimit dhe mbi rolin gjithnjë e më të madh që kanë analizat numerike dhe simulimet kompjuterike në inxhinierinë moderne të sigurisë nga zjarri.

Shoqata Albanian Engineering of Switzerland është një organizatë jofitimprurëse që synon të bashkojë dhe të bashkërendojë aftësitë dhe përvojën profesionale të inxhinierëve shqiptarë në Zvicër dhe më gjerë. Përmes aktiviteteve të saj, ajo promovon profesionistët shqiptarë në fushat inxhinierike dhe shkencore dhe kontribuon në rritjen e vizibilitetit të komunitetit shqiptar në hapësirën profesionale.

Webinaret organizohen në gjuhën shqipe dhe janë të hapura për pjesëmarrje pa pagesë. Sipas organizatorëve, këto aktivitete synojnë të krijojnë një platformë të përbashkët ku profesionistët shqiptarë mund të ndajnë përvojat e tyre, të diskutojnë zhvillimet më të fundit në fushat përkatëse dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi mes ekspertëve që veprojnë në vende të ndryshme të botës.

Webinari i dytë i këtij cikli pritet të mbahet më 17 qershor 2026. Të gjitha informacionet lidhur me Webinaret dhe programin i gjeni në linkun në vijim:

https://www.linkedin.com/company/albaninan-engineering-of-switzerland?originalSubdomain=ch

Për albinfo.ch Luljeta Ademi