Si kursejnë kosovarët?

Dërgesat e parave nga mërgimtarët, kanë shënuar rënie këtë vit. Pavarësisht kësaj, raportet zyrtare tregojnë se kosovarët kanë filluar të kursejnë. Vendi që ka më pak se dy milionë banorë, ka më shumë se 2 miliardë euro të banka.

Kosovarët nuk duket të jenë edhe aq fukarenj sa ankohen. Mesatarisht, secili ka së paku 1 mijë e 300 euro në bankë, para të thata nga kursimet.

Një prej tyre është edhe Astrit Gashi nga Prishtina. Me profesion mekanik, Astriti thotë se tre vite më parë, kishte vendosur të kursejë ngapak para.

“Në muaj, nga 50 euro arrij t’i kursej”, thotë Astriti për Albinfo.ch, derisa punon në ofiqarin e tij, ndonëse mënyra në të cilën ai kursen, duket të jetë pak e vrazhdë.

“Ato para nuk i llogaris që i kam hiç”, tregon ai. “Jo, biznes me to nuk mund të bësh, por kur ke nevojë shumë, më mirë t’i kesh aty”, thotë Astriti, i cili deri më tash, ka pak më shumë se 500 euro në bankë.

Në fakt, bankat e ndryshme që veprojnë në Kosovë, ofrojnë edhe mundësinë e kursimit të parave si dhe afatizimit të tyre.

Por ndryshe me normat e interesit që ato kërkojnë kur dikush merr kredi, e të cilat janë mjaft të larta, dhe arrijë deri në 13 %, bonusi që dikush fiton me lënien e parave në konto, është mjaft i ulët.

Përfitimi nëse dikush edhe i afatizon paratë e lëna në bankë, për një periudhë të caktuar, që do të thotë se brenda asaj kohe nuk mund t’i tërheqë, nuk arrin mbi 2%.

Ndërkohë, Astriti, sikurse edhe shumë qytetarë të Kosovës, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë të kursimit të parave.

Secila bankë në Kosovë, ofron mundësinë e hapjes së llogarisë së kursimit, krahas asaj rrjedhëse, që në fakt është e njëjta.

Paratë mund të derdhen në llogarinë e kursimit, varësisht nga marrëveshja dhe ato mund të tërhiqen kurdo nga klienti, me përjashtim se kjo duhet të bëhet brenda në bankë dhe jo në ndonjë bankomat.

Ndonëse Kosova përdorë monedhën e përbashkët evropiane Euro dhe shtetet fqinje që kanë krizë financiare nuk i ka larg, kosovarët megjithatë vazhdojnë të kursejnë.

Raportet financiare të publikuara ditë më parë nga Banka Qendrore e Kosovës, tregojnë se kursimet e qytetarëve nëpër bankat komerciale, vazhdimisht po shënojnë rritje.

“Deri në fund të shtatorit të këtij viti, vetëm vlera e kursimeve apo depozitave të klientëve në tetë bankat komerciale që veprojnë në vend, ka arritur në 2 miliardë e 100 milionë euro”, thuhet në dokumentin publik.

Madje vetëm gjatë tre muajve të këtij viti, të dhënat zyrtare tregojnë se depozitat apo kursimet e klientëve, janë rritur për afro 200 milionë euro.

Ndërkohë, i njëjti institucion tregon se remitancat në Kosovë, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, janë 234 milionë euro, që në fakt është një rënie, si pasojë e krizës ekonomike në Eurozonë.

Sipas një sondazhi të Institutit të Hulumtimeve Gallup, të bërë kohë më parë, pas anketimeve të zhvilluara në 135 vende të botës, del se Kosova radhitet lart në listën e vendeve që marrin remitenca, me 23 për qind apo me më së shumti në rajon.