Lajme

“Shumë ndërtime në Kosovë bëhen me shpëlarje parash”

Kreu i Shoqatës së ndërtimeve në Kosovë, Nebih Zariqi ka alarmuar se Kosova mund të goditet nga një krizë e patundshmërive.

Sipas tij, shumë ndërtues po i shpërlajnë paratë që nuk u dihet prejardhja duke ndërtuar objekte banesore kolektive dhe po e shkatërrojnë tregun pa e llogaritur se a ka kush i blen ato.

Ekonomistët kanë theksuar se standardi i ulët jetësor mund të pamundësojë kthimin e kredive nga qytetarët.

Kosova do t’ua shohë sherrin banesave të shumta që po ndërtohen. Madje për shkak të tyre, vendi mund të kaplohet nga një valë e krizës së patundshmërive si ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky është shqetësim i Shoqatës së ndërtimtarisë të Kosovës dhe njohësve të ekonomisë, shkruan Express.

Kreu i Shoqatës, Nebih Zariqi thotë se shumica e ndërtimeve në vend po bëhen me para të pista që nuk u dihet origjina dhe pronarët nuk e kanë profesion ndërtimtarinë, por kanë për qëllim vetëm shpëlarjen e parave.

“Shpëlarja e parave është duke u bërë në ndërtimtari. Shteti nuk ka kontroll mbi ndërtimin e objekteve kolektive dhe gjithkush investon pa e ditur se nga vijnë paratë”, thekson Zariqi.

Shumë pronarë të kompanive që punojnë në këtë formë, ai thotë se nuk janë kujdesur shumë për cilësinë e ndërtimit, madje as për obligimet komunale.

Kjo, sipas Zariqit, po bën që qytetarët të ngurrojnë të blejnë dhe çmimet e banesave kanë rënë shumë në disa vende./albinfo&Express/