Kosova

Me shumë debate, Kuvendi miraton Strategjinë e Energjisë 2017-2026

Për këtë strategji e cila bazohet kryesisht në termocentralet e Obiliqit dhe Fushë-Kosovës, mori 41 vota, 18 deputetë u deklaruan kundër, ndërsa 9 abstenuan

Pas një debati të ashpër e me shumë polemika, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026 të paraqitur nga Qeveria e Kosovës. Për këtë strategji e cila bazohet kryesisht në termocentralet e Obiliqit dhe Fushë-Kosovës, mori 41 vota, 18 deputetë u deklaruan kundër, ndërsa 9 abstenuan.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka e prezantoi strategjinë e energjisë për periudhën 2017-2026, e cila sipas tij, synon krijimin e një sektori të zhvilluar të energjisë të padëmshëm për shëndetin. Ai tha se për arritjen e këtij synimi janë bazuar në pesë objektiva strategjike, por që në substancë kanë linjitin.

“Nën 1, sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësore me energji elektrike dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabil të energjisë elektrike. Nën 2, integrimi rajonal në tregun e energjisë. Nën 3 rritja e kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja. Nën 4, zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror. Dhe nën 5, plotësimi i caqeve dhe obligimeve në efiçiencë të energjisë, burime të ripërtëritshme të energjisë dhe mbrojtje të mjedisit”, tha Lluka.

Ministri Lluka tha se qeveria do të vazhdoj të përkrah ndërtimin e projektit energjetik të Kosovës së Re.

Deputetja e LDK-së dhe ish ministrja e Tregtisë, Hykemete Bajrami, tha se kjo strategji ka mangësi të mëdha dhe i mungon orientimi strategjik.

“Lidhur me projektin e Kosovës së re, strategjia shihet se nuk ka asnjë element të analizës paraprake për çmimin e përballueshëm të energjisë nga bizneset dhe qytetarët. Kjo mandej na rezulton se kontrata për Kosovën e Re nuk e ka marrë fare parasysh koston sociale të prodhimit të energjisë”, tha Bajrami, citon RTK.

Ndërsa, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka adresuar kritika sidomos rreth ndërtimit të termocentralit Kosova e Re.

“Me kontratën e fundit midis Qeverisë dhe Fondit Investiv “Contour Global” (kompania amerikane që ka fituar të drejtën për ndërtimin e Kosovës së re) neve do të na shtrenjtohet energjia, pra do të na rriten faturat në përqindje shumë të lartë sesa edhe ajo shkalla edhe e kthimit në kapital të garantuar për Contour Global-in prej 18.5 për qind”, tha ai.