Lajme

Shteti evropian që vendosi shërbimin ushtarak të detyrueshëm edhe për gratë mbi 18 vjeç

Parlamenti i Danimarkës miratoi një ndryshim ligjor që detyron gratë mbi 18 vjeç të kryejnë shërbimin ushtarak të detyrueshëm, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt barazisë gjinore dhe forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit, veçanërisht në një kohë kur tensionet në Evropë po rriten.

Më parë, gratë mund të regjistroheshin për ushtri vetëm në mënyrë vullnetare. Me rregullat e reja, të dyja gjinitë, djemtë dhe vajzat, do të regjistrohen për vlerësim dhe mund të zgjidhen për shërbim përmes një lotarie nëse nuk ka numër të mjaftueshëm vullnetarësh.

Gjithashtu, periudha e shërbimit ushtarak është zgjatur nga katër në 11 muaj.

Në vitin 2024, rreth 4 700 qytetarë danezë shërbyen në ushtri, prej të cilëve 24 për qind ishin gra vullnetare. Qeveria synon që deri në vitin 2033 ky numër të rritet në rreth 6 500 persona në vit.

Danimarka po ndjek shembullin e vendeve nordike si Suedia dhe Norvegjia, ku shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për të dy gjinitë.

Në të njëjtën kohë, qeveria daneze ka njoftuar rritjen e buxhetit të mbrojtjes me 40.5 miliardë krona (5.9 miliardë dollarë) për të përmbushur objektivat e NATO-s.