Shqipëria
Shqipëria pas tërmetit shkatërrues: Përvil mëngët dhe vazhdo tutje
Tërmeti i së martës që ndodhi në bregdetin perëndimor të Shqipërisë, duke u marrë jetën të paktën 50 vetave, ka goditur fort. Por vendi do të rikuperohet: rimëkëmbja është në vazhdim

Janë me qindra a me mijëra artikujt e botuar këto ditë në faqet e shtypit botëror, ku gjendja në Shqipërinë e goditur nga tërmeti përshkruhet me ngjyrat më të zymta. Këtij trendi i ka ikur gazeta “Schweiz am Wochenende” (Zvicra në fundjavë). Ajo, në numrin e saj të djeshëm ka vendosur një artikull optimist, madje tepër optimist po të merret parasysh distanca ende kaq e shkurtër nga goditja shkatërruese e tërmetit në Shqipëri. “Shqipëria pas tërmetit shkatërrues: Përvil mëngët dhe vazhdo tutje”, është në përkthim të lirë titulli i artikullit.
albinfo.ch ua sjell në vazhdim këtë artikull të përkthyer në gjuhën shqipe.
Tërmeti që goditi vendin e tre milionë banorëve – njërin ndër më të varfërit në Evropë – dhe e goditi fuqishëm, pikërisht aty ku janë të ardhurat më të larta turistike të krijuara deri më tani: në bregdetin perëndimor përreth qytetit portual të Durrësit, ku ndodhen shumë hotele.
Por Shqipëria së shpejti do të rikuperohet nga tërmeti, megjithë tragjiken dhe dëmet që nuk mund të zvogëlohen, shkruan gazeta zvicerane, transmeton albinfo.ch. Kjo do të ndodhë, nga njëra anë sepse shqiptarët janë njerëz krenarë dhe nga ana tjetër sepse 30 vjet pas çlirimit nga diktatura socialiste e Enver Hoxhës dëshirojnë që përfundimisht të dalin nga varfëria.
Para së gjithash kjo do të ndodhë megjithatë, për faktin se rritja turistike është në zhvillim e sipër dhe ka një potencial shumë të madh si sektori ekonomik më i rëndësishëm i vendit. Ky fakt është njohur prej kohësh nga akterët dhe investitorët ndërkombëtarë të turizmit. Shumë projekte janë tashmë në gjenerim e sipër. Dhe tërmeti i të martes nuk do ta ndryshojë këtë trend.
Nga 2 milionë, në 10 milionë turistë në vit
Shqipëria vazhdon të konsiderohet ende “perla e pazbuluar” e Mesdheut: një bregdet i gjatë, i paprekur, i virgjër, plazhe kristalore, lugina të egra malore. Një vend me pamje si nga filmi “Winnetou”. Me liqene ngjyre gjelbër-blu, fjorde, kanione, ujëvara. Dhe me qytete të vogla historike.
Ndërkaq raporti shumë i mirë i mes çmimit dhe performancës, koha e shkurtër e fluturimit deri atje dhe mikpritja e njohur shqiptare e bëjnë vendin një destinacion gjithnjë e më tërheqës: Në vitin 2010, vetëm dy milionë turistë kishin udhëtuar për në Shqipëri, për t`u rritur ky numër në 4.1 milionë në vitin 2016. Dy vjet më vonë tashmë qenë bërë gjashtë milionë, që i thonë një rritje prej një milion turistësh në vit. Niveli i punësimit në turizëm gjatë kësaj periudhe u rrit për 41 për qind. Në vitin 2020, qeveria shpreson, se do të preket për herë të parë shifra prej 10 milionë turistësh.
Njëri nga ata që e kanë njohur potencialin e këtij turizmi është edhe zvicerani me rrënjë shqiptare, Saimir Shala. Në vitin 2017, ky specialist i informacionit të biznesit themeloi kompaninë “albanienreisen.ch”. Para kësaj, 28-vjeçari punonte menaxher projektesh IT në Sulzer. Prej tri vitesh ai organizon udhëtime nëpër Shqipëri. Këtë veprimtari e zhvillon së bashku me partneren e tij të jetës, Aylin Bakir, një avokate nga regjioni Berner Seeland.
Shala, duke qenë qysh në Zvicër i prirë për shëtitje, ka udhëtuar nëpër malet e Shqipërisë që prej vitit 2014, duke ecur me ditë të tëra. Ai dëshiron që edhe zviceranët të zbulojnë këtë botë. “Ne menduam se Alpet shqiptare, luginat magjepsëse, malore, të egra janë diçka speciale për zviceranët”, thotë Shala. Dhe, suksesi e dëshmon atë që ai ka menduar: Këtë vit Saimiri me të dashurën e tij ka sjellë dhe shëtitur mbi 250 klientë nëpër Shqipëri.
Lidhur me tërmetin ai thotë: “Është diçka e rëndë dhe tragjike. Por kjo nuk do të ngadalësojë turizmin në rritje në Shqipëri”.
Në këtë drejtim, Qeveria shqiptare ka ambicie të mëdha: “Investoni në Shqipëri” është titulli i një dokumenti strategjik që e ka në duar gazeta jonë “Schweiz am Wochenende” (Zvicra në fundjavë): kushdo që investon në Shqipëri ose ndërton një hotel me 4 ose 5 yje, nuk paguan taksë fitimi për dhjetë vitet e para, transmeton albinfo.ch. Nuk ka taksë ndërtimi dhe as infrastrukture. Pronarë të tillë hotelesh paguajnë më pak se 6 për qind, në vend të TVSH-së së zakonshme që është 20 për qind.
Në kërkim të investitorëve të huaj
Në ndërkohë, qeveria ka ndarë strategjikisht vendin në disa zona të turizmit: Është zona urbane: Tirana / Durrësi, Zona e jugut (“Toskana shqiptare”), “Shqipëria e Detit Jon” rreth Dhërmiut / Sarandës. Dhe zona veriore – me qytetin e Shkodrës (liqenet dhe kulturën) si dhe Alpet Shqiptare, për ecje dhe shëtitje malore.
Por Shqipëria nuk e ka prioritet turizmin masiv. “Ne nuk duam turizëm masiv, por turizëm me cilësi të mirë. Hotele cilësore dhe vendpushime me infrastrukturë adekuate ”, thotë Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit në një pasdite me shi në Tiranë në zyrën e tij të madhe, të zbukuruar me vepra të artit modern, jo larg nga Sheshi Skënderbej. “Ne nuk duam të bllokojmë brigjet tona, natyrën tonë dhe kemi strategji të qarta për këtë.”
15 projekte të nivelit të lartë dhe dhjetë porte jahtesh (marina) janë tashmë në nisje. Ato ngriten në bashkëpunim me investitorët ndërkombëtarë, përcjell albinfo.ch. Nisur nga mungesa e parave në thesarin e shtetit, zinxhirët e mirënjohur të hoteleve dhe grupet e investitorëve nga SHBA, Azia dhe Evropa pritet ta bëjnë më efikase ekonominë e shtetit. “Falë tyre, rinia jonë trajnohet dhe arsimohet në turizëm dhe hoteleri”, thotë Klosi, duke theksuar se gati 60 për qind e popullsisë është nën moshën 35 vjeçe.
Tani qeveria planifikon të sigurojë infrastrukturën, të përmirësojë rrugët, të ndërtojë një autostradë në jug dhe të ndërtojë një aeroport tjetër ndërkombëtar atje. Po ashtu për këto kërkohen investitorë të huaj.
Një kompani italiane tashmë ka marrë përsipër mirëmbajtjen e deponive të mbeturinave shqiptare. Ndërdsa sauditët kanë financuar dhe po menaxhojnë parkingun e makinave nën sheshin e madh Skënderbej në kryeqytet. A është duke kërcënuar kështu shitja e tokës (vendit)? “Jo”, thotë ministri i mjedisit, Klosi, “ne do të kujdesemi për sekretin e fundit të Evropës”.
Kompanitë zvicerane gjithashtu duan të kenë pjesën e tyre në ngritjen turistike të Shqipërisë: Në vitin 2019 hyri linja ajrore turistike “Edelweiss”. Ajo fluturon në Tiranë nga Cyrihu dy herë në javë, nga prilli deri në tetor. Rezultatet e deritashme kanë përmbushur pritjet.
Kompania e madhe turistike “Hotelplan” është futur prej kohësh në këtë treg dhe nuk beson se si pasojë e tërmetit do të ulen kërkesat e turistëve zviceranë për Shqipërinë. Oferta e saj për më tepër është zgjeruar: Ndërkohë që “Hotelplan” këtë vit kishte 18 hotele që ua ofronte klientëve të vet në Tiranë, Durrës dhe Saranda, sipas zëdhënëses së saj, Bianca Gähweiler, në verën e vitit 2020 do të ketë tashmë 50 hotele.
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Lorena Kengji: Arti si një mënyrë për të qëndruar e lidhur me veten Më 10 dhe 11 maj 2025, në Kreuzlingen u mbajt një ekspozitë e veçantë artistike, ku...
-
Promovohen dy libra të krijuesit, Brahim Avdyli
-
Arrestohet 18 vjeçari shqiptar në Itali, mbante mbi 220 doza kokaine në xhep
-
Vjenë: Mbi 190 profesionistë shqipfolës nga e gjithë Evropa në eventin e Illyrian Brains
-
Ulen dënimet e kosovarëve të akuzuar për skllavërim të grave: Mungojnë faktet
Jeta në Austri
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri Kur bëhet fjalë për ngasjen në Austri, nuk duhet të keni kujdes vetëm për rregullat e...
-
Austriakët arritën rekord prej 27.5 milionë udhëtime pushimesh
-
Domethënia e zgjedhjeve të Vjenës për të huajt, sezoni i alergjive dhe ngjarjet kryesore të javës në Austri
-
Vjenë: Mbi 190 profesionistë shqipfolës nga e gjithë Evropa në eventin e Illyrian Brains
-
Hetimi për aksidentin ajror në Graz në 2024 i kalon Zvicrës