Sport

Shqipëria në duar të sigurta

Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha kishin shkëlqyer sezonin e kaluar dhe po shkëlqejnë edhe këtë sezon

Futbollistët e Kombëtares shqiptare gjithnjë e më shumë janë vendimtarë në skuadrat ku luajnë, madje në klubet mjaft të njohura evropiane.

Por, në vitet e fundit kanë shkëlqyer portierët. Etrit Berisha në Atalanta dhe Thomas Strakosha në Lazio, ishin të jashtëzakonshëm sezonin e kaluar, dhe me formë të mirë kanë vazhduar edhe këtë sezon, shkruan albinfo.ch.

Atalanta siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, një sukses i madh për skuadrën zikaltër dhe portierin shqiptar, derisa Lazio fitoi Superkupën dhe të drejtën të luajë në Ligën e Evropës.

Berisha dhe Strakosha janë titullarë të padiskutueshëm në ekipet ku luajnë.

Për paraqitjet e tyre po flet e ‘tërë Italia’, sidomos për një arsye të veçantë. Berisha dy javë më parë dhe Strakosha të shtunën kanë pritur gjuajtjen e penalltisë nga Paulo Dybala, madje në minutat e fundit të ndeshjes, duke u shndërruar hero për skuadrat e tyre, dhe duke ndaluar kampionët e Italisë.

Mediat italiane kanë vlerësuar lart paraqitjet e tyre, derisa Shqipëria ka fatin që të ketë dy super portierë në Kombëtare.

https://www.youtube.com/watch?v=r1gjTdAzmmw