Lajme

Shqipe Sylejmani prezanton librin e ri: një homazh për gratë dhe historinë tonë

Pas tre vitesh pritjeje, autorja dhe gazetarja shqiptare në Zvicër, Shqipe Sylejmani, kthehet sërish para lexuesve me një vepër të re letrare. Libri i saj më i fundit: “Stolz und Widerstand”, i cili sapo ka dalë nga shtypi, është një roman i veçantë që mbart në vetvete më shumë zemër, shpirt, dhimbje, por edhe forcë e durim se sa çdo projekt i mëparshëm i saj.

Në këtë vepër, Sylejmani sjell rrëfime të frymëzuara nga historia e vendlindjes dhe kujtesa kolektive, duke i kushtuar vëmendje veçanërisht figurës së gruas shqiptare  nga gjyshet dhe nënat tona, tek motrat dhe bijat, të cilat me sakrificat dhe arritjet e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në breza.

Romani është një himn për krenarinë dhe qëndresën, një përkushtim për gratë që me shpirtin dhe forcën e tyre kanë ndërtuar themelet e identitetit dhe dinjitetit tonë.

“Ky libër është i dedikuar nënave tona, motrave tona, bijave tona  atyre që kanë mbajtur mbi supe barrën e kohërave dhe që na japin kurajë të ecim me kokën lart në botë”, shprehet autorja.

Nga “Bürde & Segen” tek romani i ri

Shqipe Sylejmani, e lindur në Prishtinë dhe e rritur në Zvicër, u bë e njohur në vitin 2020 me romanin e saj të parë “Bürde & Segen”, ku trajtonte jetën mes dy kulturave dhe kërkimin e identitetit. Përkundër refuzimeve të shumta nga botuesit, ajo arriti ta publikojë librin me forcat e veta, duke shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në tregun zviceran të librit.

Pasuesi i tij, “Würde und Vergebung” (2022), e çoi historinë më tej duke përfshirë rrëfime të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë zë përvojës së shpërnguljeve dhe sfidave të brezave.

Një zë i grave shqiptare në diasporë

Me librin e ri, Sylejmani e vendos gruan shqiptare në qendër të tregimit  si bartëse të traditës, qëndresës dhe krenarisë kombëtare. Përmes këtij projekti, ajo dëshiron të ngrejë zërin e gjeneratave të harruara dhe të tregojë se forca e tyre vazhdon të jetojë te brezat e rinj.

Libri më i ri i Shqipe Sylejmanit do të jetë i disponueshëm në librari nga 9 tetori 2025, ndërsa mund që tani  të sigurohet në gjitha platformat online të shitjes së librave në këtë link:  Stolz und Widerstand.