Shota e Zvicrës në “moshën e pjekurisë”

Bashkë me anëtarët, përvjetorin e 18 të "Shotës së Zvicrës"e ka kremtuar edhe "Shota rezidente", nga Prishtina

Përvjetorët e Shkollës së vallëzimit “Shota” nga Arau gjithnjë shndërrohen në mbrëmje festive ku kremtohet duke kënduar e vallëzuar. Ndërsa përvjetori i saj i 18, që u shënua të dielën, më 11 dhjetor në Frick, pati sharmin e tij të veçantë; bashkë me “Shotën” e mërgimtarëve ishte edhe Ansambli kombëtar i Këngëve dhe Valleve, “Shota” nga Prishtina. Kështu, nga kombinimi në mes dy “Shotave” atmosfera festive ishte e garantuar.

Në një publik të zgjedhur, kryesisht njerëz që kanë përkrahur SHVSH “Shota” ndër vite dhe miq e familjarë, u bashkuan edhe mysafirët e shumtë nga Kosova, ata të ansamblit “Shota” dhe të tjerë, të cilët kishin ardhur nga rruga e gjatë, nga Brukseli, ku kishin mbajtur “Ditët e Kulturës Kosovare”.

Ishte i gjatë vargu i përshëndetjeve dhe mirënjohjeve që ndanë e këmbyen në skenë, drejtori i SHVSH “Shota”, Agron Bajrami bashkë me mysafirët, kolegët nga “Shota” “rezidente”, ajo e Prishtinës. Bajrami, me spontanitetin që e karakterizon, i kontribuoi edhe atmosferës gazmore dhe festive në sallë. Ai, pa fjalë të shkruar dhe pa protokoll përkujtoi se Shkolla e vallëzimit “Shota” po bënte pikërisht sonte 18 vjet të veprimtarisë së suksesshme të saj, prandaj gëzimin për këtë përvjetor donte ta ndajë me të gjithë ata që e kanë mbajtur gjallë dhe e kanë përkrahur. 

Në skenë u ngjit pastaj zëvendëskonsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Sali Sefa, i cili përgëzoi “Shotën” për gjithë atë që u ka ofruar bashkatdhetarëve tanë gjatë 18 viteve të ekzistimit. “Në kohën e pushtimit, nuk kontribuuan vetëm ata që luftuan, që mbajtën burgje apo që u angazhuan në forma të ndryshme për lirinë e Kosovës. Kontribut të madh për mbajtjen gjallë të shpirtit të kombit kanë dhënë edhe organizimet kulturore, dhe “Shota” e Zvicrës është njëra ndër to”, ka thënë veç tjerash zëvendëskonsulli Sefa.

Ndërsa Haqif Mulliqi, këshilltar i ministrit të kulturës në Qeverinë e Kosovës, ka evokuar rrethanat kur është themeluar  “Shota e Zvicrës”, siç e quajnë Shkollën e Vallëzimit nga Aarau, për ta dalluar nga emnakja e saj e madhe në Prishtinë. Ai përkujtoi me këtë rast atë që të tjerët mbase e kishin harruar: “SHV `Shota` me këtë përvjetor duke u bërë 18 vjeçe, po mbushte edhe `moshën e saj madhore`, po piqej.

Publikun e ka përshëndetur edhe këshilltari i ministrit të diasporës, Adem Zhitopotoku, ndërsa aktori nga Prishtina, Basri Lushtaku ka recituar një poezi.

Përvjetorin dhe manifestimin e përshëndeti edhe drejtori i Ansamblit Kombëtar “Shota” nga Prishtina, Dilaver Kryeziu, i cili i bëri edhe një vlerësim të lartë nivelit me të cilin po paraqitej “Shota” e Zvicrës. Pastaj Agron Bajrami dhe Dilaver Kryeziu këmbyen dhurata dhe mirënjohje në mes vete.

Me një fjalë përshëndetjeje është paraqitur edhe Mustafë Xhemaili, drejtor i politikave të mërgatës në Ministrinë e Diasporës. Ai, edhe në cilësinë e ish këshilltarit dhe anëtarit të nderit të shkollës “Shota” ka vlerësuar rritën e saj gjatë këtyre viteve. Me këtë rast Xhemaili ka njoftuar publikun edhe për “Ditët e Kulturës së Kosovës” që fillojnë sot, më 12 dhjetor në Zvicër.

Në skenë janë paraqitur edhe Lirije Bajrami, përgjegjëse artistike e SHV “Shota”, autori i librit kushtuar kësaj shkolle, Ibish Neziri dhe aktivistë të tjerë.

Por, paraqitja e valltarëve të Shkollës së Vallëzimit “Shota” ka qenë ajo që ka kurorëzuar mbrëmjen. Me dhjetëra valltarë, të të gjitha moshave, kanë shpalosur bukurinë e valles shqiptare të të gjitha trojeve, me kostumet e larmishme dhe me lëvizjet herë elegante e fine e herë të fuqishme e të rrëmbyera. Ishte veçanërisht mbresëlënëse paraqitja e grupit të më të vegjëlve. Rreth pesëdhjetë fëmijë nga mosha 5-6 vjeçare e tutje dhanë më të mirën për të kënaqur publikun, duke krijuar një pamje simpatike në skenë.

Një befasi e ka bërë Agron Bajrami duke ftuar në skenë ish kolegët e tij, disa nga valltarët veteranë të “Shotës” së Prishtinës, me të cilët ka hedhur një valle, në mënyrë spontane.

Mikpritja e SHV “Shota” është dëshmuar edhe kësaj here në dritën e saj më të mirë. Anëtarët e saj dhe sidomos prindërit dhe familjarët e tyre ishin kujdesur për një tryezë të begatshme me ushqime nga kuzhina shqiptare.