Integrimi
Shoqata “Bashkimi” prezanton kuzhinën tradicionale shqiptare
Të pranishëm ishin dhe personalitete të larta të qytetit, si kryetari i Komunës, Thomas Itten dhe konsullja e Republikës së Shqipërisë, Eliverta Radomi
Mikpritja, ngrohtësia dhe organizimi i mirëfilltë ishin disa nga përshtypjet e para që shijonin vizitorët shqiptarë dhe zviceranë, teksa po shkelnin në sallën e Qendrës Kulturore Tell në Ostermundigen të Bernës, me rastin e servimit të „Sofrës Shqiptare“ nga shoqata kulturore shqiptare “Bashkimi”.
Kryesia e shoqatës kishte vendosur që nëpërmes prezantimit të ushqimeve tradicionale të kuzhinës shqiptare të shënonte dhe pesëvjetorin e punës së kësaj shoqate, e cila në vazhdimësi ka qenë aktive duke promovuar vlerat tona kombëtare.
Asortimentet e bollshme të kuzhinës shqiptare, duke filluar nga pitet e llojllojshme, sarmat, gjellërat, e deri tek ëmbëlsirat, krijonin një atmosferë shqiptare në sallën e mbushur plot me vizitorë shqiptarë dhe zviceranë.
Prezenca e publikut si duket i kishte kaluar edhe parashikimet e organizatorëve, një fakt të cilin nuk kemi luksin ta shohim shpesh në organizimet që zhvillohen në diasporë me qëllim të kultivimit të kulturës sonë kombëtare.
Me këtë rast, të pranishëm ishin dhe personalitete të larta të qytetit, si kryetari i Komunës, Thomas Itten dhe konsullja e Republikës së Shqipërisë, Eliverta Radomi.
Asan Jashari është kryetar i shoqatës “Bashkimi”. Në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre. Ai mes tjerash kujtoi publikun për ecurinë dhe aktivitetet e shoqatës që nga themelimi i saj e deri tani.
„Falënderoj Komisionin e gruas pranë shoqatës si dhe të gjitha familjet që u angazhuan për përgatitjen e ushqimeve tradicionale shqiptare“, tha Jashari.
Më pas kryetari Jashari kërkoi nga kryetari i Komunës, Thomas Itten dhe konsullja e Republikës së Shqipërisë, Eliverta Radomi, t’i drejtohen publikut.
„Ndihem e nderuar që në aktivitetin tuaj të organizuar për „Sofrën Shqiptare“ unë të promovoj aktivitetin tim të parë me shqiptarët, si konsulle e Republikës së Shqipërisë“, u shpreh zonja Radomi.
Shpresoj, tha ajo në vazhdim, që edhe në të ardhmen të organizohen takime të këtilla. „Duhet pasur parasysh që gastronomia shqiptare është një vlerë, e cila na nderon në botë. Ndihem shumë e nderuar dhe njëherë ju falënderoj për ftesën që ma keni bërë, tha në fund Eliverta Radomi, konsulle në Ambsadën e Republikës së Shqipërisë.
Në vazhdim fjalën përshëndetëse e mori Thomas Itten, kryetar i Komunës, i cili në radhë të parë i falënderoi organizatorët për ftesën e bërë, duke shtuar se me kënaqësi të madhe ka ardhur sot për të marrë pjesë në prezantimin e ushqimeve të traditës sonë kombëtare.
„Takimet e këtilla duhet shfrytëzuar për të komunikuar me njëri-tjetrin, duke ndarë mendimet tona rreth situatave, ecurive, këtu apo edhe kur të takohemi në rrugë dhe vende të tjera“, u shpreh kryetari i Komunës, Thomas Itten.
Duke pasur parasysh se gratë shqiptare në këtë rast kanë ofruar mjeshtërinë e tyre në përgatitjen e ushqimeve, albinfo.ch bisedoi edhe me Arbenita Surdullin, anëtare e komisionit të sapoformuar të grave shqiptare në kuadër të shoqatës “Bashkimi”.
Lidhur me prezantimin e „Sofrës Shqiptare“ Arbenita Surdulli u shpreh: „Kemi një kohë të gjatë që e diskutojmë këtë temë dhe kësaj radhe pas formimit të komisionit të gruas dhe konsultimeve të shumta, vendosëm ta organizojmë këtë apero të kuzhinës shqiptare, të quajtur ndryshe ‘Sofra Shqiptare’“.
„Ka një vit që kemi themeluar komisionin e grave dhe, të them të drejtën, është duke funksionuar shumë mirë. Organizohemi mirë dhe veprojmë si një familje kur janë në pyetje festat kombëtare dhe evenimentet si ky i ‘Sofrës shqiptare’“, thotë Arbenita.
Sonte Arbenita kishte provuar flinë, gatimin tonë tradicional, një lloj të posaçëm piteje dhe një lloj bakllavaje të përgatitur me mjeshtëri.
Vlen të theksohet se bashkë me ushqimet e sjella sonte në këtë eveniment, shqiptarët kishin sjellë kulturën e tyre nga të gjitha trojet e vendlindjes, duke filluar nga Vlora deri në Mitrovicë dhe nga Durrësi deri në Shkup e Preshevë.
Irfan Agushi
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës Nga hapja solemne e Xhamisë Shqiptare në Tafers – Friburg... -
Melisa Leka, shkëlqen në serialin ndërkombëtar “Dark Side of the Ring” -
Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani -
Fjolla dhe Ardiana prezantojnë “Vajzë”, një urë mes Kosovës dhe Zvicrës -
USA
Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës
Jeta në Austri
-
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti Vjena ul emetimet e CO₂ me 5.8%, duke tejkaluar mesataren e Austrisë. Politikat e forta për... -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa









