Muzikë

Shkollat Shqipe në Bavari festojnë me krenari 28 Nëntorin në Nürnberg

Bashkimi i shkollave shqipe në Bavari feston 28 Nëntorin me program artistik

Mësohet se në Nürnberg u mbajt një manifestim i veçantë për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, ku Shkolla Shqipe në Nürnberg, Neumarkt, Fürth, Roth, Aschaffenburg dhe Bamberg u bashkuan në një aktivitet të përbashkët festiv, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja mblodhi dhjetëra nxënës, prindër dhe mësues, duke e shndërruar këtë ditë të rëndësishme kombëtare në një festë të madhe uniteti e identiteti.

Nxënësit sollën një program artistik të përgatitur me përkushtim, ku u interpretuan këngë, poezi dhe pika të ndryshme që pasqyruan historinë, kulturën dhe vlerat shqiptare.

Përmes performancave të tyre, ata përcollën mesazhin e krenarisë kombëtare dhe rëndësinë e ruajtjes së gjuhës e traditave në diasporë.

Aktiviteteve iu bashkua edhe Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në München, znj. Genta Mburimi, e cila me praninë e saj nderoi manifestimin dhe përshëndeti punën e palodhur të mësuesve dhe komunitetit shqiptar në Bavari.

Organizatorët shprehën mirënjohjen për të gjithë donatorët dhe mbështetësit që kontribuuan në realizimin e kësaj feste, duke theksuar se bashkëpunimi është çelësi për të mbajtur të gjallë trashëgiminë kulturore shqiptare edhe larg atdheut.