Shkolla shqipe në Aargau, një rrëfim suksesi
Mbahet manifestimi përmbyllës në përfundim të vitit shkollor i Shkollës me Mësim Plotësues në gjuhën shqipe në Aargau
Shkolla shqipe në kantonin e Aargaut po e vazhdon traditën e sukseseve në mësimin plotësues. Puna e nisur në vitet e 90 -ta, kur kjo shkollë u pavarësua e deri më sot, po vazhdon pandërprerë traditën e mirë të mësimdhënies së gjuhës dhe kulturës amtare për fëmijët e mërgimtarëve. Me një staf arsimtarësh të kualifikuar, me aktivistë të devotshëm e prindër të rregullt, kjo shkollë po u mundëson vogëlushëve që jo vetëm të mos harrojnë, por edhe të kultivojnë gjuhën e tyre të bukur dhe traditën kombëtare.
Si gjithmonë, në fundvite shkollore, ata edhe këtë vit festuan përfundimin e suksesshëm të mësimit plotësues me një program të begatshëm, së bashku me prindërit dhe bashkatdhetarët në Küttigen të Kantonit të Aargaut.
Mësuesja Eshtrefe kishte nderin që me rastin e Jubileut të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe 4 vjetorit të pavarësisë së Kosovës të moderojë këtë program dhe të prezantojë paralelet mësimore nga Shpreitenbahu, Vohleni, Dintikoni, Windishi, Steini, Oftringeni, Suhri e Dullikeni me arsimtarët e tyre Alije Mujaj e Hamzë Morina, Elfete Gashi, Halime Vishi e Flurim Rexhepi.
Recitimet e vogëlushëve për gjuhën, atdheun, dashurinë, gëzimin; këngët e hareshme për Kosovën, Shqipërinë; për luftën e lavdishme të paraardhëseve të tyre e deri te vallet e bukura, kënaqën të pranishmit.
Mysafirët e shumtë, në mesin e të cilëve kishte edhe përfaqësues të autoriteteve zvicerane dhe atyre të Ksoovës e të Shqipërisë në Zvicër i përshëndeti kryetari i LAPSH „N. Frashëri“ për kantonin e Aargaut, Riza Demaj.
Ata që këtë ditë ishin më të gëzuarit, ishin prindërit e fëmijëve, të cilët me rregull dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe dhe nuk i lënë ata të harrojnë gjuhën e kulturën shqiptare. Dhe me këtë kulturë e traditë të integrohen me dinjitet në shoqërinë ku jetojnë, në shtetin i cili ka përkrahur në vazhdimësi atdheun e tyre.
Për ta dëshmuar këtë përkrahje, me nxënësit shqiptarë, në program ishin pedagogia nga Departamenti i arsimit të Kantonit të Aargaut, Ida Kaneve me Sabrina Strebel – pedagoge sociale e Bühler – përfaqësuese e Këshillimores për integrim. Ato me punën e tyre ndihmojnë vazhdimisht këta fëmijë dhe prindërit e tyre që të ndjehen mirë në shkollë, me kushtet që u ofron kantoni mikpritës.
z. Kaneve pos tjerash përkujdeset që edhe arsimtarët e këtij mësimi të kenë mundësi dhe kushte pune në shkollën zvicerane si dhe u mundëson atyre arsimimin e mëtejmë profesional në institucionet e arsimit të lartë përmes seminareve që organizon me departamentin kantonal të arsimit në kantonin e Aargaut. Ajo kësaj radhe i përshëndeti të gjithë dhe i uroi që ta kultivojnë gjuhën dhe kulturën e tyre.
Në manifestim merrte pjesë edhe Sali Sefa, Konsull i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih i cili përshëndeti këtë takim dhe shkollës shqipe i dëshiroi suksese të mëtejme. Me këtë rast ai u zotua se do të insistonte te organet shtetërore të Kosovës që premtimin e dhënë për institucionalizimin e këtij mësimi ta përmbushin sa më shpejtë. Sefa falënderoi LAPSH „N. Frashëri“ në Zvicër e cila me dekada të tëra ishte promotore e suksesshme e këtij mësimi.
Përshëndetjes ju bashkua edhe Ahmet Asani, këshilltar i Ministrit të Diasporës. Me pjesëmarrjen e tij këtë program e nderonte edhe sekretari i Ambasadës shqiptare në Bern Kastriot Noli.
Së bashku me nxënës të kantonit të Aargaut, si mysafirë, ishin edhe paralelet mësimore të kantonit të Solothurnit me mësuesin Abaz Fejzullahu dhe paralelja në Bernë me mësuesen Valbona Noli, të cilët prezantuan me programet e tyre shkollore.
Ajo që kësaj pasdite i dha impulse të forta artistike ishte Shoqëria Kulturore Artistike „Dielli“ nga Amriswilli i kantonit të Turgaut, shumica e pjesëtarëve të së cilës ishin po ashtu nxënës të shkollës shqipe. Të udhëhequr nga koreografi dhe balet maestro Rrustem Selca valltarët e “Diellit” sollën në skenë disa nga brilantet e valles shqiptare.
E-Diaspora
-
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane Prej më shumë se dhjetë vitesh, familja Markaj në Obersiggenthal e shndërron oborrin e saj në... -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve -
Studentët shqiptarë në Zvicër në takim me Ambasadën e Shqipërisë në Bernë për Ditën Kombëtare të Diasporës -
Emigruan për një jetë më të mirë, familja shqiptare fle në rrugët e Francës -
Dr. Përparim Limani në krye të Kirurgjisë Onkologjike në Aarau
Jeta në Austri
-
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri Mbrëmjen e kaluar, rreth orës 23:55, persona të panjohur kanë sulmuar hyrjen e xhamisë shqiptare në... -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste










