Integrimi

Me shëtitje masive, kundër “iniciativës së migrimit masiv”

Nesër, e shtunë, në relacionin Bremgarten-Dietikon zhvillohet një shëtitje me karakter manifestimi dhe debati për të drejtat e migrantëve. albinfo.ch ka biseduar me bashkiniciatoren e këtij aksioni, Shpresa Jashari

Shpresa Jashari

“Është hera e dytë që e bëjmë këtë “Massenwanderung”. Hera e parë ka qenë si reagim ndaj iniciativës së SVP-së me emër të përafërt – një lojë fjalësh me Masseineinwanderung, migrimi masiv, siç quhet iniciativa e famshme e SVP-së kundër migracionit masiv. Po shëtisnim me një miken time zvicerane dhe të dyja ishim shumë të mllefosura me faktin se politika e Zvicrës po tregonte aq shumë prirje nga ksenofobia. Them kështu sepse kjo nuk është hera e parë, keni parasysh, kanë qenë një numër iniciativash nga ky drejtim dhe të gjitha janë votuar (Ausschaffungsinitiative, Minarettinitiative etj)”, shpjegon iniciatorja e aksionit “Bewanderte Schweiz”, Shpresa Jashari.

Njerëzit gjithmonë kanë shtegtuar, brenda dhe jashtë vendit

“Prandaj, kjo na shtyn të tregojmë se ekziston edhe një Zvicër tjetër, e hapur dhe e cila e pranon migrimin pasi që jetojmë në një botë të globalizuar. Por zëri i kësaj Zvicre nuk dëgjohet sepse humbet nga zëri i Blocher-it me shokë”, sqaron ajo për albinfo.ch, nismën për “shëtitjen masive” që do të zhvillohet nesër.

“Këtu lindi ideja që shëtitjen që ishim duke e bërë ta masivizojmë me pjesëmarrjen e një numri më të madh shëtitësish dhe kështu “Masseneinwanderung” përmes një loje fjalësh ta shndërrojmë në “Massenwanderung”. E kuptuar si “shëtitje” “shtegtim” do të ishte diçka shumë tipike zvicerane që identifikohet edhe me industrinë e turizmit të këtij vendi. Por për ndryshim nga ky kuptim, në Zvicër kemi pasur gjithmonë edhe konceptin “wandern”, që ka kuptimin e ndërrimit të vendit. Njeriu gjithmonë ka ndryshuar vendbanim e vendqëndrim duke kërkuar një jetë më të mirë ose thjesht nga kureshtja për të ditur se çfarë ka, ta zëmë  “matanë malit”. Pra termin “wandern” ne e marrim dhe e shikojmë nga një perspektivë tjetër. Ideja pse tash e përsërisim aksionin është që ta sensibilizojmë shoqërinë dhe të tregojmë se ka edhe një Zvicër tjetër, ku migrimi është diçka normale. Herën e parë kemi pasur një prani të mirë të medieve dhe gjatë ecjes kemi zhvilluar një program tematik me pika artistike, që po e synojmë edhe kësaj here, thekson Shpresa.

Të dalim jashtë qyteteve të mëdha, atje ku është migracioni

Në debatin rreth iniciativës për migracionin masiv shpeshherë është vënë theksi në aglomeracion (pjesa e paralagjeve, zona në mes të qyteteve dhe fshatrave). Kjo zonë njihet për prirjen e saj për të votuar në mënyrë konservative por njëkohësisht kjo është zonë ku banojnë shumë të huaj. Kështu, ne deshëm ta bartim temën në një terren të tillë, të dalim pak nga qyteti dhe të zhvillojmë idenë tonë në aglomeracion. Shëtitja ose marshimi niset ne mëngjes në Bremgarten. Diku në mes të shëtitjes bëjmë edhe pushim ku përgatisim grill dhe ku njerëzit rrëfejnë historitë e tyre të migrimit etj. Ndërsa në ora 17.00 në Dietikon përmbyllet shëtitja dhe do të kemi argëtim nga Baba Uslender dhe “Who is Electra”, dy grupe muzikore me anëtarë shqiptarë. Më tutje iniciatorja e këtij aksioni shton se “ideja është të dalim nga qytetet si Cyrihu ose Bazeli në qendra të vogla të aglomeracionit si Dietikoni, i cili ndoshta më mirë e përfaqëson botën e migracionit se qytetet e përmendura. Njerëzit që kanë marrë pjesë herën e kaluar kanë përfaqësuar grupime nga më të ndryshmet: migrantë të ardhur rishtas, migrantë të vjetër, të natyralizuar por edhe zviceranë. Herën e kaluar kemi qenë rreth 80 pjesëmarrës por sigurisht që tash synojmë më shumë, dëshirojmë të kemi rreth 200”.

” Zvicra duhet t`u japë mirëjohje prindërve tanë”

Këtë aksion ajo e konsideron si një forum për debat për të drejtat e migrantëve.

“Diçka në mes të manifestimit dhe forumit për diskutim. Prandaj kam shumë dëshirë të vijnë sa më shumë shqiptarë sepse, mendoj unë, edhe pse ne shqiptarët jemi shumë në Zvicër dhe ka mjaft raste të angazhimit tonë në politikë dhe në shoqëri, prapë se prapë ende nuk e kemi një identitet të fortë politik që duhet ta kishim. Na mungon një rrjet i fortë, na karakterizon mungesa e organizimit për të kundërshtuar dukuri si diskriminimi të cilit i nënshtrohemi. Jemi të prirë të themi: jo, nuk jemi të diskriminuar, gjithçka është në rregull. Gjenerata e prindërve tanë e mban ende atë logjikën se në Kosovë apo në Maqedoni duhej të angazhoheshim kundër diskriminimit por jo edhe në Zvicër, këtu jemi të huaj dhe duhet të rrimë urtë. Por unë them se patjetër duhet ta kërkojmë të drejtën tonë, ne po jetojmë këtu dhe pjesërisht jemi rritur këtu. Nisem nga prindërit e mi, një masë e madhe që kanë ardhur si sezonierë, kanë punuar për ne, për vëllezërit e motrat në atdhe, për të gjithë, ndërsa tash kanë ardhur në një fazë deziluzionimi pasi që shohin se shumica e madhe e jona nuk e ka ndërmend të kthehet, sikur kishin menduar ata kur kishin ardhur. Tash para pensionimit ata e shohin veten as andej as këndej. Për këtë arsye unë mendoj se Zvicra u ka borxh këtyre njerëzve një mirënjohje për gjithë atë që kanë dhënë për ndërtimin e këtij vendi. Por nga ana tjetër ata përballen me pllakate si abuzues të sistemit social, mashtrues, dhunues etj. Dhe, kjo është diçka që nuk shkon, mendoj unë. Ne kërkojmë që Zvicra t`ua japë mirënjohjen këtyre gjeneratave të punëtorëve, shprehet e prerë Shpresa Jashari.