Sport

Shaqiri nuk premton se do të qëndrojë në Basel

Kështu ka deklaruar mesfushori kosovar për gazetën Blick, pas kthimit të tij nga pushimet dy javore në Spanjë

“Natyrisht se nuk mund të premtoj se do të qëndroj. Gjithmonë në futboll kjo është e vështirë. Unë jam tash në ekipin e Baselit, me të cilin kam kontratë deri më 2014, dhe këtu ndjehem rehat. Unë nuk kam folur me  Bernhard Heusler, dhe nuk e di nëse ka ndonjë ofertë. Nuk mund të jap ndonjë vlerësim, ndryshe unë do të vazhdoj të jap maksimumin pastaj do të shohim”, ka thënë Shaqiri.

Pas suksesit të treguar me përfaqëusesen U-21 të Zvicrës në Evropianin e futbollit, në Danimarkë, Shaqiri bashkë me vëllain e tij kishte pushuar dy javë në Spanjë.

“Unë nuk kam humbur shumë dhe jam gati për të filluar me dëshirë  lojën, por për këtë vendos trajneri”, ka folur Shaqiri për fillimin e sezonit.Transferimi i Shaqirit mund të ndodhë, sezoni në top-ligat e futbollit fillon për disa javë, ndërsa dritarja e transferimit është e mundur deri më 31 gusht.

Trajneri i Basel, Thorsten Fink shpreson se talenti kosovar i futbollit  do të qëndrojë në Basel.

“Do të ishte shumë e rëndësishme për ne, sepse ai është një futbollist i madh. Unë nuk dua që klubin ta bëjmë  të pasur, por të suksesshëm.”, ka deklaruar Fink.Shaqiri po vlerësohet si një prej yjeve më të mëdhenj të futbollit, ndërsa për shërbimet e tij po interesohen gjigantët, si Bayern Muenchen, Manchester United, Liverpool, Juventus e Milan.

Skuadrat italiane si Juventus, Roma, Lazio, Fiorentina dhe Palermo janë më të interesuarat për Shaqirin, por ofertat e tyre prej dhjetë milionë eurosh nuk do të merren parasysh, sipas klubit zviceran të Baselit.

Klubi zviceran ka vlerësuar se Shaqiri peshon 15 milionë euro dhe vetëm skuadra e cila ofron këtë shumë apo më shumë mund të futet në negociata për Shaqirin.

Shaqiri ka kontratë me Baselin deri në qershorin e vitit 2014 dhe është njëri prej talenteve më të mëdha në Evropë.

Ai është edhe pjesë e Përfaqësueses A të Zvicrës, me të cilën mori pjesë në Botërorin 2010, ndërkohë që me atë U21, para pak ditësh doli nënkampion i Evropës.