Shkurt.ch

Së paku 15 të vdekur nga shpërthimi në një fabrikë

Dyshohet se numri i viktimave do të jetë edhe më i madh, njoftojnë agjencitë amerikane të lajmeve, duke u bazuar në numrin e madh të njerëzve që ndodheshin në ato hapësira në momentin e shpërthimit

 

Një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë plehërash në qytetin West të shtetit federal Teksas ka shkaktuar së paku 15 të vdekur dhe rreth 173 të lënduar. Dyshohet se numri i viktimave do të jetë edhe më i madh, njoftojnë agjencitë amerikane të lajmeve, duke u bazuar në numrin e madh të njerëzve që ndodheshin në ato hapësira në momentin e shpërthimit.

Njoftohet se nga shpërthimi që ka ndodhur në orën 7.50 të mëngjesit janë shkatërruar rreth 80 shtëpi në zonën afër fabrikës, shumë të tjera janë duke u djegur ndërsa zjarrfikësit, duke u përballur me rrezikun e drejtpërdrejtë për jetën e tyre po përpiqen të lokalizojnë zjarrn. Një numër zjarrfikësish që kanë provuar të futen në ndërtesat e përshkuara nga zjarri për të shpëtuar njerëzit e mbetur brenda, duket se kanë pësuar edhe vetë nga zjarri.

Shkaktar i zjarrit ka qenë shpërthimi i nitratit të amoniakut që përdoret në industrinë e prodhimit të plehërave artificiale.