Lajme

Sa është zbatuar reciprociteti ndaj Serbisë ?

Sipas një raporti të Bankës qendrore të Kosovës, biznesmenë kosovarë kanë qenë të njoftuar me muaj më herët për masat e recipricitetit

Në fund të muajit korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës, u kishte vendosur bllokadë mallrave të Serbisë.

Duke zbatuar masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, gjatë tërë muajit pasues, atij gusht, zyrtarisht në dyqanet e Kosovës, nuk hynte mall me prejardhje nga fqinji verior.

Pavarësisht kësaj, mallrat serbe nuk kanë munguar shumë. Ato ndodhshin me bollëk në tregun kosovar.

Arsyeja përse në raftet e marketeve të vendit nuk kanë munguar mallrat e Serbisë edhe pse zyrtarisht shteti kishte vendosur bllokadë ndaj tyre, gjendet në një raport të Bankës Qendrore të Kosovës.

Sipas këtij dokumenti, tregtarët e mëdhenj të Kosovës, duket se kishin njohuri shumë muaj më parë se Qeveria do të vendoste masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Në këtë raport të BQK’së thuhej se vlera e importeve të Kosovës në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit, ishte për rreth 70 milionë euro më e lartë sesa krahasuar me gjashtëmujorin e vitit paraprak.

Deri në qershor 2011, Kosova importoi mallra në vlerë prej 1.09 miliardë euro krahasuar me 938.8 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Se biznesmenët e mëdhenj të Kosovës kanë qenë më parë të njoftuar me masën e reciprocitetit që Qeveria do vendosë ndaj Serbisë, e ka pranuar edhe Ramiz Kelmendi, biznesmeni i cili është pronar i kompanisë së madhe “Elkos Group”.

“Bashkë me bizneset ndërkombëtare që operojnë në Serbi kam hapur degë të kompanisë në Mal të Zi dhe Maqedoni, në mënyrë që të mund t’i rieksportoj produktet me origjinë nga Serbia për në Kosovë”, ishte shprehur Kelmendi, tash deputet në Kuvendin e Kosovës.

Një fakt të tillë ai e ka pohuar publikisht vetëm pasi në faqen e internetit WikiLeaks, është publikuar një kabllogram diplomatik i Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë.

Por jo vetëm kaq. Në të dhënat zyrtare të publikuara në lidhje me importin gjatë muajit gusht, nuk del se ka pasur ndonjë diferencë të madhe në rënien e tij krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Enti i Statistikave të Kosovës, ka publikuar të dhënat zyrtare për tregtinë e Kosovës për muajin gusht, sipas të cilave, Kosova ka eksportuar mall në vlerë prej 23,7 milion euro kurse ka i importuar 229,2 milion euro.

Thënë me fjalë të tjera, Kosova ka eksportuar në muajin gusht 9.5 përqind më pak mallra sesa në muajin e njëjtë të vitit 2010.

Ndërkohë, si për ironi, vendi ka importuar në muajin gusht të këtij viti, kohë kur ishte në fuqi masa e reciprocitetit me Serbinë, 9.9 përqind më shumë, krahasuae me gushtin e vitit 2010.

Ato çfarë eksporton Kosova janë kryesisht metalet kurse importon thuajse gjithçka, ndonëse vendi ka një pozitë mjaft të volitshme gjeografike që mundëson biznesin e blegtorisë dhe bujqësisë.

Kështu, sipas të dhënave zyrtare, 58.7 përqind të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt e tyre, 13.5 përqind produktet minerale, 8.5 përqind produktet bimore, 5.1 përqind ushqimet e përgatitura si pijet dhe duhani, 3.1 përqind plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre, 2.9 përqind tekstil dhe artikuj tekstili etj.

Ndërsa sipas të dhënave, Kosova importon 22.7 përqind produkte minerale, 12.9 përqind ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, 11.4 përqind metale bazë dhe artikuj prej tyre, 10.3 përqind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 6.2 përqind plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre, 5.7 përqind produkte të industrisë kimike, 5.7 përqind mjetet e transportit etj.

Në muajin gusht 2011 përqindja më e madhe e eksportit nga Kosova, si destinacion kishte Italinë, pastaj Kinën, Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë, Gjermaninë, Zvicrën etj.

Ndërsa sipas të dhënave zyrtare, përqindja më e madhe e importit në këtë muaj ishte nga Maqedonia, Gjermania, Turqia, Kina, Italia, Zvicra etj.