Shkurt.ch

Rruga deri te pasaporta zvicerane mbetet e gjatë

Në të ardhmen të huajt do të duhet të presin "vetëm" dhjetë vjet për të aplikuar për natyralizim. Edhe pas miratimit nga Parlamenti të ligjit të rishikuar në Zvicër, pasaporta kuq e bardhë do të mbetet një nga më të vështirat për t’u marrë në Evropë.

Ligji i ri për fitimin e natyralizimit zviceran i ngjan lëvizjes së një ore të krijuar pas shumë viteve pune në punëtorinë e një orëndreqësi shumë kompetent. Pas një vargu të gjatë debatesh të pafundme, Dhoma Federale mori vendimin më në fund të rrumbullakësojë pak qoshet për të hartuar një tekst, për të cilin qëndrimet e palëve ndryshonin. Tema në fjalë ka kaluar pesë herë nga një dhomë në tjetrën dhe, më pas, një konferencë pajtimi është organizuar për t’i shuar të gjitha dallimet dhe mospajtimet.

Qëllimi i shumë parlamentarëve megjithatë nuk ishte të dëshmojnë aftësinë e sistemit tradicional të Zvicrës për të ecur me kompromise të mbështetura nga shumica, por për t’iu shmangur një referendumi dhe votimi më 2015. Gjatë vitit të zgjedhjeve parlamentare një votim i tillë mbi një të temë kaq të ndjeshme, siç është natyralizimi, do të shtonte sasinë e ujit në mullirin e së djathtës.

Në fund të fundit, ligji i ri pjesërisht pasqyron synimet e qeverisë. Drafti i rishikuar dhe gjithëpërfshirës konsiderohet se përmban tri çështje, në veçanti: përshtatja e një standardi nga 1952, harmonizimi, të paktën i pjesshëm, i procedurave të ndryshme kantonale për natyralizim dhe theksimi i dëshirës për të integruar kandidatët për pasaportën zvicerane.
Nxitja e integrimit

“Në të ardhmen qeveria nuk ka ndërmend të natyralizojë më pak persona, por ajo gjithashtu nuk e ka ndërmend të natyralizojë më shumë. Ajo vetëm dëshiron t’u japë shtetësinë të huajve që janë të integruar mirë në Zvicër”, ka bërë të ditur gjatë debateve në Parlament zonja Simonetta Sommaruga, ministre socialiste e Departamentit të Drejtësisë dhe Policisë. “Disa të huaj janë shumë mirë të asimiluar në shoqërinë tonë pas pesë vjetësh qëndrimi në vendin tonë, ndërsa disa të tjerë jo edhe pasi që kanë jetuar me dekada në Zvicër. Në të ardhmen dhënia e shtetësisë nuk do duhej të varej vetëm nga kohëzgjatja e qëndrimit në Zvicër.

Për këtë arsye qeveria federale ka propozuar të ulë qëndrimin në minimum tetë vjet, kundër dymbëdhjetë aktualisht në fuqi, koha më e gjatë në Evropë. Një pozicion i ndarë nga e majta, e cila beson se një periudhë prej tetë vjetëve do të motivonte të huajt për t’u integruar shpejt. Ndërsa e djathta është përpjekur të mbrojë ruajtjen e dymbëdhjetë vjetëve qëndrim, duke deklaruar se një kohëzgjatje e tillë do të mundësonte shmagnien e një “natyralizimi në masë”.  Më në fund, Dhomat kanë miratuar një kompromis, duke vendosur një kohëzgjatje prej dhjetë vjet pritjeje.

Siç ka qenë rasti deri tani, në qoftë se ata duan të marrin shtetësinë zvicerane, të huajt duhet të banojnë vazhdimisht në të njëjtin kanton për një numër të caktuar vitesh. Ky numër varet nga një kanton në tjetrin, por numri minimal tani shkon nga dy deri në dymbëdhjetë vjet. Për t’i harmonizuar këto rregulla të ndryshme kantonale, qeveria ka propozuar të fusë një periudhë të vetme të tre vjetëve, në mënyrë që të merren parasysh lëvizjet në rritje të popullsisë. Shumica e Parlamentit në fund vendosi që periudha minimale e qëndrimit të përcaktuara nga kantonet mund të lëvizë nga dy deri në pesë vjet.
Çështja e natyralizimit të lehtësuar për të rinjtë ka qenë gjithashtu objekt i dallimeve të mëdha: aktualisht koha e jetesës në Zvicër mes moshës 10 dhe 20-vjeçare ka rëndësi të dyfishtë. Ndërkohë që e djathta dëshironte të tërheqë këtë lehtësim, e majta kërkonte që të gjitha vitet e jetesës së të miturve të huaj në Zvicër të numërohen dyfish. Pas diskutimeve të gjata, për të ditur nëse duhej të mbahej ky sistem apo jo, dhomat kanë rënë dakord më në fund për të numëruar dyfish vitet e moshës mes 8 dhe 18 vjeç.

Megjithatë, arti i kompromisit ka prekur kulmin e saj kur erdhi momenti për të vendosur nëse duhej të numëroheshin vitet që kanë kaluar azilkërkuesit në Zvicër, kur ata gëzonin një pranim të përkohshëm. Të ballafaquar me kërcënimin e një referendumi nisur nga pala e djathtë, Parlamenti ka dekretuar se ato vite do të njihen vetëm përgjysmë.  Një rezultat i cili,  sipas eurodeputetes  Ada Marra (socialiste), duket se ka dalë nga “një pazarllëk”.

Një listë e gjatë e kushteve që duhet të plotësohen

Ligji i ri që rregullon mënyrën për të fituar shtetësinë nuk do t’ua tërheqë shpresën të huajve që dëshirojnë të bëhen zviceranë, të cilët duhet të tregohen më të durueshëm. Dokumenti në fjalë nuk jepet automatikisht pas dhjetë vjet qëndrim në Zvicër. Të interesuarit gëzojnë vetëm mundësinë të paraqesin kërkesën e tyre pas kohës së përcaktuar, një kërkesë që më pas do të diskutohet në nivelin federal, procedurë e cila mund të zgjasë me vite.

Të interesuarit duhet të përmbushin një sërë kushtesh të cilat do të dëshmojnë se janë të integruar, se ata njohin zakonet dhe traditat të vendit mikpritës, se ata respektojnë ligjet dhe sigurinë publike, si dhe vlerat e Kushtetutës federale, të demonstrojnë gatishmërinë për të punuar ose të marrë trajnim.

Dhe kjo nuk është e gjitha. Parlamenti ka vendosur që në të ardhmen aftësia për të folur të pakten një gjuhë kombëtare nuk do të jetë më e mjaftueshme. I interesuari duhet të dëshmojë gjithashtu se di edhe të shkruajë. Dhe, siç ishte deri tani, i interesuar duhet gjithashtu të jetë i gatshëm për të paguar disa mijëra dollarë për t’u bërë një qytetar zviceran.

Çfarë duhet të dini:  Ligji i ri për shtetësinë

Bazuar në rishikimin e përgjithshëm të Ligjit, të miratuar më 20 qershor nga Parlamenti, të paktën dhjetë vjet qëndrimi në Zvicër do të jenë të nevojshme në të ardhmen para se ju të mund të aplikoni për natyralizim.

Kandidatët duhet të jenë në posedim të një leje qëndrimi “C”. Një leje që mund të fitohet pas pesë apo dhjetë vjetësh qëndrimi, sipas vendit të origjinës dhe e cila jep të drejtë qëndrimi në Zvicër për një kohë të pacaktuar.

Për të aplikuar për natyralizim palët e interesuara duhet të kenë qëndruar në të njëjtin kanton për një kohë prej dy deri në pesë vjet, në varësi të rregulloreve kantonale.

Të huajt e rinj do të vazhdojnë të përfitojnë nga natyralizimi i lehtësuar: viteve të qëndrimit në Zvicër mes moshës 8 dhe 18 vjeç, vite që do të numërohen dyfish.

Aktualisht mes 30.000 dhe 40.000 persona marrin çdo vit shtetësinë zvicerane. Në fund të prillit 2014 ishin 1.9 milionë të huaj, ose 23.5% e popullsisë së përgjithshme.

Periudha më e gjatë e Evropës

Edhe me një periudhë të re pritjeje për shtetësi prej dhjetë vjetësh Zvicra mbetet një nga vendet më të preferuara të Evropës për sa i përket kohëzgjatjes së qëndrimit të kërkuar për natyralizim.

Sipas të dhënave nga Instituti për Vëzhgim të Demokracisë në Bashkimin Evropian (EUDO), vetëm gjashtë vende të tjera, duke përfshirë Italinë, Spanjën dhe Austrinë, kanë vendosur një afat prej dhjetë vjetësh.

Gjermania, Polonia, Sllovakia, Hungaria dhe Rumania kanë vendosur një periudhë pritjeje prej tetë vjetësh, Norvegjia dhe Greqia shtatë dhe Portugalia gjashtë.
Ndërsa Franca, Britania, Holanda, Belgjika, Suedia dhe Republika Çeke kanë kufizuar periudhën deri në pesë vjet pritjeje.