Autoritetet në Kosovë kanë vazhduar aksionin për largimin e ndërtimeve pa leje në zonën e Liqenit të Ujmanit, ku deri më tani janë rrënuar 17 objekte, kryesisht vila të ndërtuara në prona publike, përcjell albinfo.ch.
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, bëri të ditur se aksioni do të vazhdojë pa kompromis dhe do të shtrihet edhe në pjesë të tjera të vendit, me synimin për mbrojtjen e pronës publike dhe zbatimin e ligjit.
“Vazhdon rrënimi i objekteve të ndërtuara pa leje në pronat publike në Ujman. Deri tash janë rrënuar 17 objekte/villa përreth Liqenit të Ujmanit. Ky aksion do të vazhdojë pa kompromis dhe do të shtrihet edhe në pjesë të tjera të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së pronës publike dhe zbatimit të ligjit”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Të enjten, përfaqësues të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, me asistimin e Policisë së Kosovës, rrënuan edhe hotelin “Jezero”, i cili ndodhej në pronën e kësaj ndërmarrjeje pranë Liqenit të Ujmanit.
Pak ditë më parë, në të njëjtën zonë u rrënuan edhe 11 vila të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Sipas autoriteteve, të gjitha ndërhyrjet janë kryer me kërkesë të ndërmarrjes publike hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, në pronat e së cilës ishin ngritur objektet ilegale. /Albinfo.ch