Me shkurtimin e ditëve dhe rënien e hershme të errësirës, rritet edhe rreziku i vjedhjeve në banesa. Policia Kantonale e Aargaut në Zvicër u bën thirrje qytetarëve të shtojnë masat e sigurisë, duke paralajmëruar se orët e pasdites dhe të mbrëmjes janë veçanërisht të favorshme për hajdutët.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave të Zvicrës, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 34.755 vjedhje me thyerje, pesë për qind më shumë se një vit më parë. Së bashku me vjedhjet pa thyerje, numri arrin në 46.636 raste, ose mesatarisht 128 incidente në ditë.
Më të rrezikuara janë shtëpitë individuale me oborre të mëdha, pemë dhe shkurre që mundësojnë afrimin e hajdutëve pa u vënë re. Numri më i madh i vjedhjeve për 1.000 banorë është regjistruar në kantonin Basel-Stadt, me 10,4 raste, pasuar nga Solothurn me 9,8 dhe Vaud me 8,3 raste.
Policia rekomandon që dyert të mbyllen gjithmonë me çelës, edhe kur banorët janë brenda, si dhe të përdoren ndriçimi me sensorë lëvizjeje, kamerat e sigurisë dhe sistemet e alarmit. Si masa shtesë parandaluese sugjerohen edhe pajisjet që simulojnë praninë e banorëve përmes ndriçimit të ngjashëm me atë të televizorit.
Bashkëpunimi me fqinjët dhe raportimi i personave apo automjeteve të dyshimta konsiderohen gjithashtu të rëndësishme për parandalimin e vjedhjeve. Ndërkohë, policia këshillon që dritaret të mbyllen plotësisht dhe të shmanget lënia e tyre në pozicion të pjerrët.
Për ruajtjen e sendeve me vlerë, rekomandohet përdorimi i një kasaforte të montuar në mënyrë të përhershme, pasi hajdutët zakonisht kërkojnë para dhe stoli në dhomat e gjumit dhe në banja.
Policia paralajmëron se masat e thjeshta të sigurisë dhe vigjilenca e qytetarëve mund të ndihmojnë ndjeshëm në uljen e rrezikut të vjedhjeve.