Skip to content

Shqipëria mposht Finlandën dhe është një hap larg promovimit në Ligën B

Kombëtarja e Shqipërisë ka shënuar një fitore të rëndësishme ndaj Finlandës, duke triumfuar me rezultat 2:0 në stadiumin “Air Albania”, në përballjen e vlefshme për xhiron e pestë të Grupit 1 në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 35-të, falë një realizimi të bukur nga distanca të Ernest Muçit, i cili i dha epërsinë skuadrës shqiptare.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1:0, ndërsa në fillim të fraksionit të dytë Shqipëria arriti ta thellojë epërsinë. Rey Manaj shënoi golin e dytë me kokë, pas një asistimi të saktë nga Elseid Hysaj.

Finlandezët u përpoqën të riktheheshin në lojë, por situata e tyre u vështirësua edhe më shumë në minutën e 67-të. Në atë moment, Tenho u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të palejuar, duke e lënë Finlandën me një lojtar më pak.

Pas këtij triumfi, Shqipëria kryeson Grupin 1 me 12 pikë, duke lënë dy pikë prapa Bjellorusinë, e cila gjithashtu regjistroi fitore ndaj San Marinos.

Gjithçka do të vendoset në përballjen e fundit mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë. Kombëtares shqiptare i mjafton edhe një barazim për të përfunduar në vendin e parë të grupit dhe për të siguruar ngjitjen në Ligën B të Ligës së Kombeve.