Me rastin e Ditës Kombëtare të së Ardhmes në Zvicër, të rinjtë kanë mundësinë të njihen nga afër me botën e punës dhe të shohin se si kanë ndryshuar profesionet gjatë 20 viteve të fundit.
Radioja dhe televizioni zviceran SRF sjellin gjashtë shembuj të profesioneve që sot janë pjesë e një tregu pune gjithnjë e më të orientuar drejt teknologjisë dhe inovacionit.
1. Menaxher i produkteve të inteligjencës artificiale (AI Product Manager)
Dikur, kompanitë kishin nevojë për menaxherë produktesh që merreshin me planifikimin dhe zhvillimin e aplikacioneve apo faqeve të internetit. Sot, kërkesa është rritur për specialistë që dinë të vlerësojnë se ku dhe si inteligjenca artificiale mund të sjellë përfitime konkrete.
Këtë rol e kanë menaxherët e produkteve të inteligjencës artificiale, një profesion që tashmë renditet ndër pozitat më të kërkuara në ekonominë digjitale.
2. Zhvilluesit e agjentëve të inteligjencës artificiale (AI Agent Builders)
Ndryshe nga chatbotët e zakonshëm, agjentët e inteligjencës artificiale janë në gjendje të kryejnë në mënyrë të pavarur disa detyra, njëra pas tjetrës.
Zhvillimi, testimi dhe mbikëqyrja e këtyre sistemeve kërkojnë specialistë të kualifikuar. Ata zakonisht kërkohen në tregun e punës me tituj si inxhinierë të inteligjencës artificiale (AI Engineers).
3. Pilotët e dronëve: profesionistët e qiellit
Dronët nuk janë më vetëm lodra elektronike. Sot përdoren për monitorimin e kantiereve të ndërtimit, inspektimin e centraleve solare, kontrollin e linjave elektrike, si dhe në bujqësi dhe nga institucionet policore.
Si rezultat, po rritet edhe kërkesa për pilotë profesionistë të dronëve.
Megjithatë, aftësia për të drejtuar një dron nuk mjafton. Në këtë fushë kërkohen edhe njohuri për legjislacionin e aviacionit, sigurinë, teknologjinë e kamerave dhe analizën e të dhënave.
Personat që kanë edhe kualifikime shtesë në fusha si gjeomatikë, inxhinieri apo bujqësi kanë më shumë mundësi për zhvillim profesional.
Ndërsa në sektorin ushtarak pilotët e dronëve janë përdorur prej kohësh, në sektorin civil ky profesion është konsoliduar vetëm gjatë dy dekadave të fundit.
4. Menaxherët e qëndrueshmërisë: strategët e mbrojtjes së klimës
Përcaktimi i objektivave klimatike, matja e emetimeve të CO₂ dhe përgatitja e kompanive për një të ardhme më të qëndrueshme ishin detyra që para 20 vjetësh përfaqësoheshin vetëm në pak vende pune.
Sot, korporatat e mëdha kanë ekipe të tëra që merren me reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit, kontrollin e zinxhirëve të furnizimit dhe zhvillimin e modeleve më të qëndrueshme të biznesit.
5. Profesionistët e sporteve elektronike (E-sport): nga dhoma e gjumit në arenat e mëdha
Dikur, të rinjtë shpesh dëgjonin këshillën: “Lëri videolojërat!”. Sot, turnetë e sporteve elektronike mbushin arena të tëra, ndërsa lojtarët profesionistë fitojnë para përmes çmimeve në gara dhe kontratave me sponsorë.
Edhe në Zvicër pati një përpjekje për ta profesionalizuar këtë sektor. Në vitin 2018, ekipi Helix u bë ekipi i parë zviceran profesionist i sporteve elektronike që u paguante lojtarëve një pagë fikse mujore prej 2.500 frangash për secilin.
Megjithatë, projekti përfundoi pas vetëm një viti, pasi PostFinance ndërpreu sponsorizimin.
Aktualisht, klubet dhe ekipet, nën ombrellën e Federatës Zvicerane të Sporteve Elektronike (SESF), mbështesin dhe zhvillojnë talentet e reja, ngjashëm me akademitë e të rinjve në klubet e futbollit apo hokejit mbi akull.
Megjithatë, ushtrimi i këtij profesioni me orar të plotë mbetet më i vështirë në Zvicër sesa në vende si Koreja e Jugut, Kina apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
6. Krijuesit e përmbajtjeve digjitale (Content Creators): një kompani mediatike në duart e një personi
Blogerët dhe krijuesit e videove ekzistonin edhe para 20 vjetësh, por në atë kohë ishte pothuajse e paimagjinueshme që dikush të arrinte një audiencë të madhe përmes përmbajtjeve të veta dhe të siguronte jetesën prej tyre.
Platformat si YouTube, Instagram dhe TikTok e kanë bërë këtë të mundur.
Përmes bashkëpunimeve reklamuese, kontratave me sponsorë, shitjes së produkteve personale dhe përmbajtjeve me pagesë, krijuesit mund të ndërtojnë një model të plotë biznesi.
E ashtuquajtura “Creator Economy” (ekonomia e krijuesve të përmbajtjeve) punëson miliona njerëz në mbarë botën dhe ka krijuar një industri të tërë, e cila para dy dekadash pothuajse nuk ekzistonte në këtë formë.
Cilat profesione pritet të humbin më shumë vende pune deri në vitin 2030?
Ndërsa teknologjia krijon profesione të reja, ajo po ndryshon edhe nevojën për shumë punë tradicionale.
Sipas raportit “Future of Jobs 2025” të Forumit Ekonomik Botëror, ndër profesionet që pritet të përjetojnë rënien më të madhe të punësimit deri në vitin 2030 janë:
– Arkëtarët dhe shitësit e biletave;
– Asistentët administrativë dhe sekretarët e drejtorive;
– Mirëmbajtësit e objekteve;
– Menaxherët e materialeve dhe inventarit;
– Punonjësit e shtypshkronjave;
– Punonjësit e kontabilitetit dhe pagave;
– Kontabilistët dhe auditorët;
– Shoqëruesit e transportit dhe konduktorët;
– Punonjësit e sigurisë;
– Nëpunësit bankarë në sportele;
– Punonjësit e futjes së të dhënave;
– Punonjësit e informimit dhe shërbimit ndaj klientëve;
– Dizajnerët grafikë;
– Drejtuesit e shërbimeve të biznesit dhe administratës;
– Vlerësuesit e dëmeve.
Ndryshimet në tregun e punës tregojnë se teknologjia jo vetëm po krijon profesione të reja, por edhe po transformon rrënjësisht mënyrën se si punohet dhe aftësitë që do të kërkohen në të ardhmen/albinfo.ch