Në Prishtinë është mbajtur edicioni i 26-të i Festivalit të Filmit Frankofon, i cili gjatë javës së kaluar solli në ekranin e madh filma në gjuhën frënge, duke bashkuar përfaqësues diplomatikë dhe dashamirës të kinematografisë.
Festivali u hap me një ceremoni ku të pranishmëve iu drejtuan ambasadorët e Francës dhe Zvicrës.
Në kuadër të programit, të premten u organizua edhe mbrëmja e filmit zviceran. Pas fjalës përshëndetëse të zëvendësshefit të Misionit të Zvicrës, publiku pati mundësinë të ndiqte filmin “Les Indes”, një bashkëprodhim zvicerano-spanjoll, i cili sjell një udhëtim në Evropën e shekullit XVII.
Organizatorët kanë shprehur mirënjohje për partnerët nga Belgjika, Kanadaja, Franca dhe Luksemburgu, si dhe për të gjithë pjesëmarrësit që iu bashkuan këtij aktiviteti kulturor.
Festivali i Filmit Frankofon synon të promovojë kinematografinë në gjuhën frënge dhe të forcojë bashkëpunimin kulturor ndërmjet vendeve pjesëmarrëse.
