Skip to content

Guterres: Fitimet e kompanive të naftës janë moralisht të papranueshme

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka kritikuar ashpër fitimet e mëdha të kompanive të naftës dhe gazit, duke i cilësuar ato si “moralisht të papranueshme”, në një kohë kur qytetarët po përballen me rritjen e çmimeve të energjisë dhe kostos së jetesës.

Në margjinat e Konferencës së Klimës COP31 në Antalia të Turqisë, Guterres deklaroi se nëntë kompani të mëdha të sektorit të lëndëve djegëse fosile kanë realizuar 95 miliardë dollarë fitime brenda një tremujori.

“Qeveritë duhet të mbrojnë interesat e popujve të tyre, e jo interesat e një grupi kompanish”, theksoi ai, duke kërkuar ndërprerjen e projekteve të reja të naftës, gazit dhe qymyrit.

Guterres paralajmëroi se shtetet nuk mund të pretendojnë se po luftojnë ndryshimet klimatike, ndërkohë që vazhdojnë të investojnë në lëndët djegëse fosile. Ai kritikoi gjithashtu lobin e industrisë së naftës dhe gazit për pengimin e tranzicionit drejt energjisë së pastër.

Në COP31, përplasjet mes vendeve që kërkojnë largimin gradual nga lëndët djegëse fosile dhe atyre që mbrojnë vazhdimin e shfrytëzimit të tyre mbeten një nga temat kryesore të negociatave.

Ndërkohë, presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva u prit me duartrokitje në takimin me përfaqësuesit e shoqërisë civile, ku u vlerësua për rezultatet në luftën kundër shpyllëzimit në Amazonë.

Në konferencë mungon delegacioni zyrtar i administratës së presidentit amerikan Donald Trump, por në të po marrin pjesë disa zyrtarë amerikanë, përfshirë guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, të cilët kanë deklaruar se do të vazhdojnë angazhimin për klimën pavarësisht qëndrimit të Uashingtonit.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina, dy ndotësit më të mëdhenj në botë, janë ndër aktorët kryesorë, mungesa ose angazhimi i të cilëve mund të ndikojë në përpjekjet globale për të frenuar ngrohjen e planetit.