Unioni i Sindikatave Zvicerane kërkon që çdo person që përfundon një arsimim profesional të fitojë së paku 5.000 franga në muaj. Kërkesa ka shkaktuar reagime të ashpra nga përfaqësuesit e ekonomisë, të cilët paralajmërojnë pasoja për sistemin e aftësimit profesional, njofton albinfo.ch.
Unioni i Sindikatave Zvicerane (USS) po përgatit një iniciativë popullore që parasheh pagë minimale mujore prej 5.000 frangash për të gjithë personat që përfundojnë një zanat, raporton albinfo.ch.
Kryetari i USS-së, Pierre-Yves Maillard, argumenton se arsimi profesional duhet të shpërblehet më mirë dhe se paga duhet të jetë e mjaftueshme për të siguruar jetesën.
Por kjo kërkesë kundërshtohet nga përfaqësuesit e punëdhënësve. Fabio Regazzi, kryetar i Unionit Zviceran të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, paralajmëron se një rregullim i tillë mund t’i detyrojë kompanitë të ofrojnë më pak vende për praktikantë. Sipas tij, pagat duhet të përshtaten me dallimet ndërmjet profesioneve, sektorëve dhe rajoneve.
Edhe Unioni i Punëdhënësve të Zvicrës kundërshton vendosjen e një page minimale të detyrueshme nga shteti, duke argumentuar se përcaktimi i pagave duhet të bëhet nga kompanitë dhe partnerët socialë, duke marrë parasysh përvojën dhe përgjegjësitë e punonjësve.
Ndërkohë, punëdhënësit kundërshtojnë edhe kërkesën e sindikatave për tetë javë pushim vjetor për të gjithë personat në arsimim profesional. Sipas tyre, edhe kjo çështje duhet të përshtatet sipas mundësive dhe nevojave të secilit sektor./Albinfo.ch