Qytetarët e kantonit Basel-Landschaft në Zvicër do të votojnë më 29 nëntor për një iniciativë që synon uljen e çmimit të abonimit vjetor të transportit publik për fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 25-vjeçare, nga 542 në 365 franga.
Iniciativa parasheh që diferencën e çmimit ta mbulojë kantoni, me qëllim lehtësimin e shpenzimeve për familjet, nxënësit dhe studentët, si dhe nxitjen e përdorimit më të madh të transportit publik.
Nisma, e mbështetur nga partitë e majta dhe të qendrës, kundërshtohet nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), Partia Liberale (FDP), qeveria dhe shumica e parlamentit kantonal.
Kundërshtarët vlerësojnë se subvencionimi do t’i kushtonte kantonit rreth 2.8 deri në 3 milionë franga në vit, ndërsa këto mjete do të ishte më mirë të investoheshin në shtimin e linjave dhe përmirësimin e orareve të transportit publik.
Parlamenti kantonal ka rekomanduar refuzimin e iniciativës me 45 vota kundër dhe 34 pro. Vendimin përfundimtar do ta marrin qytetarët në votimin e 29 nëntorit.