Rita Ora: “Jam krenare që jam kosovare”

“Është koha e fundit që dikush nga Kosova t`i tregojë botës kush jemi ne! Jam e lumtur që jam njëra nga të zgjedhurat që mund ta bëjnë këtë"

Në një intervistë të gjatë që i ka dhënë gazetës zvicerane 20 minuten, ylli i muzikës Rita Ora edhe një herë ka vënë theksin në krenarinë që ndjen me përkatësinë e saj shqiptare e kosovare. Edhe vetë titulli i intervistës në faqen e parë të gazetës, të ilustruar me portretin e madh të këngëtares e tregon këtë: “Rita Ora: Krenare që jam kosovare”.

Rita Ora mund të bëhet ylli i parë botëror shqiptar. Ajo ka folur për 20 minuten dhe për edicionin revyal “Friday”, që del të premteve pasdite, mes tjerash edhe për përkatësinë e saj .

“Është koha e fundit që dikush nga Kosova t`i tregojë botës kush jemi ne! Unë jam e lumtur që jam njëra nga të zgjedhurat që munden ta bëjnë këtë”, ka thënë Rita për gazetën zvicerane.

Ndërsa ka shtuar “Jam e lindur në Kosovë dhe jam shumë krenare që jam kosovare. Ne jemi një popull patriotik. Edhe lidhja, kohezioni mes nesh është i madh, ne mbështesim njëritjetrin, kudo që të jetë nevoja”.

“Në Prishtinë qëndron një pe¨rmendore e përbërë prej shkronjave me ngjyrë të verdhë, të larta tri metra, që formojnë fjalën `Newborn”. Kur Rita Ora ngjitet mbi shkronjën E, qindra të rinj brohorisin me entuziazëm “Rita, Rita…”. Dhe, Rita ia plas vajit. Sepse ajo është në vendlindjen e saj, në kryeqytetin e Kosovës, ku ka ardhur të bëjë xhirimin e një videoje. Ajo mbulon fytyrën e përlotur me duar dhe u drejtohet fanssave të saj: `Hej njerëz, mos më bëni të qaj, se tash jemi duke xhiruar një video`”.

Kështu shkruan “Friday” në hyrjen e shkrimit të gjatë për Rita Orën, që është personazh i këtij numri të javores për të rinj. Titulli i shkrimit i paralajmëruar në ballinë është: “Superhiti nga Kosova”. Ndërsa titulli i artikullit në brendi të revistës: “Zëi i Kosovës”. Në disa faqe të ilustruara të “Friday” janë vendosur një numër fotografish të zgjedhura të Rita Orës.

Më tutje në intervistë, Rita Ora ka folur edhe për albumnin e saj që pritet ta editojë më 19 tetor, për raportet e saj me Jay Z. etj.