Lajme

Rikthehet në debat çështja e shamive

Kësaj here duket se edhe Qeveria në Prishtinë ka dhënë premtime se deri në vjeshtë do ta zgjidhë çështjen e lejimit të bartjes së simboleve fetare në shkolla

Bartja e shamive dhe aplikimi i mësimit fetarë në shkollat publike, sërish është kthyer në çështje debati në Kosovë. Është Partia e Drejtësisë dhe disa ligjvënës të pavarur të Kuvendit të Kosovës që kanë kërkuar sërish që simbolet fetare të lejohen nëpër shkolla.  

Kësaj here duket se edhe Qeveria në Prishtinë ka dhënë premtime se deri në vjeshtë do ta zgjidhë çështjen e lejimit të bartjes së simboleve fetare në shkolla.

Këtë përgjigje, sipas REL, e ka marrë deputeti Amir Ahmeti, që kryeson Komisionin këshillëdhënës për çështjet e lirive fetare, pasi i ka dorëzuar kryeministrit Hashim Thaçi raportin preliminar me rekomandime për këtë çështje.

Në raportin të cilit i qaset REL, tre nga katër anëtarët e këtij komisioni qeveritar, Amir Ahmeti, deputet i Kuvendit të Kosovës, Sabri Bajgora, kryeimam i Kosovës, e Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së kryeministrit, kanë nënshkruar raportin preliminar.

Kurse, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, nuk ka vënë firmën e tij në këtë raport.

Amir Ahmeti sqaron se çfarë ka sugjeruar ky trup për debatin e lejimit të vajzave me shamia që të vijojnë mësimet në shkollat publike.

“Po shpresojmë se kryeministri do ta vlerësojë pozitivisht këtë raport dhe këto rekomandime dhe të fillojë me zbatimin e rekomandimit kryesor të këtij raporti që është anulimi i pikës 13 të nenit 4 të udhëzimit administrativ 06/10 të MASHT-it,” thotë Ahmeti.

Ahmeti që është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se nuk është habitur përse zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, nuk e ka nënshkruar këtë dokument, por se habitet përse po e mohon ekzistimin e tij.

“Mosangazhimi i zotit Selimi në komision, pasiviteti i tij me mosardhje në mbledhje, me kërkesat për shtyrje të takimeve, mosardhja në vizita zyrtare që i kishim me MASHT-in në të gjitha këto vende të BE-së, kjo lë të kuptojmë se ai është i interesuar që këtë punë ta shtyjë në pafundësi dhe mos ta rregulloj këtë çështje kurrë”, shprehet Ahmeti.

Por, version tjetër ka Petrit Selimi, i cili konsideron se as gjysma e punës që ka ky komision, nuk është e mbaruar.

Selimi, ndërkaq nuk e përmend ekzistimin apo jo të këtij dokumenti, por thotë se “janë bërë disa analiza të situatës me liritë fetare në shtetet e BE-së” dhe se me kaq nuk mbaron puna.

“Mund të them se një pjesë e punës është kryer”, nis shpjegimi i Selimit, sipas të cilit, kanë mbetur edhe shumë punë për t’u bërë për t’u konsultuar me komunitetet fetare në Kosovë, me shoqërinë civile, me organizatat e lirive dhe mbrojtjes së të drejtave të grave, deputetët e Parlamentit dhe hisedarë tjerë.

“Pak po keqkuptohet puna e komisionit! Komisioni nuk është për shami, por për liritë fetare, edhe aty përthekohen një mori çështjesh, prej ligjit për fe, deri te mësim-besimi, dialogu ndërfetar, deri tek agjenda e tolerancës, dhe një nga pikat e shumta është çështja e veshjeve fetare nëpër ambientet sekulare, si shkollat”, thotë Selimi.

Sipas zëvendësministrit Petrit Selimi, debati për këtë temë, ndoshta ka konotacion më shumë politik sesa fetar.

Edhe Amir Ahmeti pajtohet se politika i ka fajet, por problemin e sheh ndryshe.

“Kjo problematikë vërtet është politike, sepse politika e ka ndaluar të drejtën e manifestimit publik të besimit, pra respektivisht të vajzave me shamia për t’u shkolluar në shkollë. Ua ka mohuar dhe i ka privuar nga kjo e drejtë! Andaj politika duhet ta rregullojë”, konsideron Ahmeti.

Ndryshe, çështja e lejimit të shamive dhe mësimit fetarë nëpër shkolla është qitë në votim në Kuvendin e Kosovë, një vjet qëparë, por nuk i ka marrë votat e duhura. Ligjvënësit dhe klerikët islamë po kërkojnë që kjo çështje të rikthehet sërish në Kuvend, për t’iu mundësuar vajzave me shami të ndjekin mësimin nëpër shkolla publike.