Integrimi
Rexhep Rama, një jetë me sakrifica, në shërbim të njerëzve
Nga një fëmijë që ëndërronte të bëhej mjek në Kosovë, e deri tek drejtuesi i Spitexit privat- AresCare në Zvicër

Në çdo rrugëtim suksesi ka një shtysë të brendshme që e udhëheq njeriun. Për Rexhep Ramën, ajo shtysë ka qenë gjithmonë dashuria për njerëzit dhe besimi se e mira kthehet gjithmonë tek ai që e bën. Nga një fëmijë që ëndërronte të bëhej mjek në Kosovë, e deri tek drejtuesi i një Spitexi privat- AresCare në Zvicër, historia e tij është dëshmi se kur profesionalizmi bashkohet me humanitetin dhe kur familja qëndron pranë, asnjë ëndërr nuk mbetet e paarritshme.
Intervistë me Rexhep Ramën: “Bëj mirë dhe e mira të vjen”
Albinfo.ch: Rruga juaj drejt kujdesit shëndetësor është e gjatë dhe e mbushur me sfida. Si nisi kjo histori?
Rexhep Rama: Unë si fëmijë ëndërroja të bëhesha mjek. Ishte profesioni që e shihja si simbol të mirësisë dhe humanitetit, sepse shëronte dhimbjet dhe u kthente njerëzve shpresën. Zgjodha infermierinë Teknik i përgjithshëm në Prishtinë, një drejtim i vështirë, i rezervuar vetëm për nxënësit më të mirë. Ishte një vendim që më ka përcaktuar jetën. Por situata politike në Kosovë nuk ma mundësoi ta ndiqja atë rrugë deri në fund duke u sfiduar si shumë të tjerë. Sot, kur kthehem pas, e kuptoj se ka qenë një dhuratë nga Zoti që këtu në shtetin Helvetik profesionin tim ta ushtroj me nder dhe pasion. Një profesion që nuk është vetëm punë, por një mision i shenjtë.
Albinfo.ch: Çfarë kujtoni nga fillimet tuaja në Zvicër?
Rexhep Rama: Erdha në vitin 1991. Isha vetëm 18 vjeç kur lashë Kosovën. Babai im punonte këtu si murator, nëna ime si rrobaqepëse. Fillimi këtu ishte i ashpër: duhej të mësoja një gjuhë të re, të integrohesha në një kulturë tjetër dhe njëkohësisht të përballoja plagët e një atdheu në konflikt. Por kjo më forcoi dhe më dha diçka të çmuar: aftësinë për ta parë botën nga dy perspektiva, për të qenë urë mes dy kulturave, dhe njëherit ishim promovues dhe ambasodorë të vlerave të mira të kombit tonë.
Albinfo.ch: Si u zhvillua më tej karriera juaj profesionale?
Rexhep Rama: Fillimisht punova në një shtëpi të moshuarve në Schwellbrunn, ku mësova bazat e kujdesit afatgjatë. Në vitin 1999, hyra në një Residencë moderne të moshuarve në Lindenhügel në Teufen. Për më shumë se 20 vite ai institucion u bë si një shkollë jete për mua. Më ofroi përvoja të mëdha, mundësi arsimimi të vazhdueshëm dhe mbi të gjitha, kontaktin e përditshëm me njerëzit që kanë më shumë nevojë për kujdes.
Në vitin 2004 u kualifikova si mjeshtër praktikantësh dhe mora pjesë në zhvillimin e një programi arsimor dhe akplikimin e profesinit në praktikë . Ishte një nga përvojat më të bukura: të shihja nxënësit e rinj, mes tyre shumë shqiptarë, të fitonin vetëbesim, dije dhe përvojë. Për 12 vite isha edhe përgjegjës për nxënësit dhe praktikantët. Ndihesha se përveç kujdesit ndaj pacientëve, po ndihmoja të ndërtohej edhe një brez i ri profesionistësh.
Me kalimin e viteve, u avancova në pozita drejtuese, së pari si zëvendësudhëheqës dhe më pas si udhëheqës i këtij Institucioni. Aty kuptova se udhëheqja nuk është një titull, por një shërbim. Udhëheqja është përgjegjësi, është art i komunikimit dhe mbi të gjitha aftësi për të motivuar dhe frymëzuar të tjerët.
Albinfo.ch: Në një moment zgjodhët të dilni nga siguria e një institucioni dhe të guxoni për diçka të re. Si lindi ideja e Spitex AresCare?
Rexhep Rama: Shpesh shihja pacientë që nuk arrinin të merrnin Trajtimin dhe therapin e duhur në shtëpitë e tyre apo të gjenin një dhomë në kohën e duhur ose që detyroheshin të largoheshin nga shtëpia e tyre shumë heret dhe pa dashje. M’u duk e padrejtë. E dija se kujdesi më i mirë është ai që ndodh aty ku njeriu ndihet më i sigurt – në shtëpinë e tij. Kjo ishte arsyeja pse në janar të vitit 2020 vendosa të themeloj AresCare -një Spitex privat. Por këtë hap nuk e ndërmora vetëm. Në këtë histori është edhe bashkëshortja ime, Sevdije Rama, e cila ka qenë shtylla ime më e fortë.
Sevdija është bashkëudhëtarja ime në çdo hap. Ajo ka qenë aty kur unë kam pasur nevojë për mbështetje morale, për kurajo dhe për këshillë. Sot, në AresCare, ajo udhëheq shërbimin e shtëpisë dhe është pjesë e pandarë e suksesit tonë. Vajza jonë, Erinda, ndihmon gjithashtu në punët administrative. Në fillim punonim vetëm ne tre, me përkushtim dhe besim. Sot AresCare ka njëmbëdhjetë punonjës të kualifikuar dhe një reputacion që më mbush me krenari. Por këtë sukses nuk do ta arrija pa Sevdijen – ajo është themeli i këtij rrugëtimi. Duke mos harruarr edhe reflektomim positiv nga pacientët që kujdeset AresCare.
Albinfo.ch: Çfarë roli ka humanizmi në gjithë këtë që bëni?
Rexhep Rama: Humanizmi është qendra e gjithçkasë. Unë jetoj me moton: “Bëj mirë dhe e mira të vjen.” Për mua, pacientët nuk janë thjesht numra ose raste mjekësore – janë njerëz me bagazh të madh me histori në vete, me dhimbje dhe me dinjitet që duhet respektuar. Kam pasur raste të vështira, kur pacientët ishin shpallur të pashpresë. Një rast prej shumë rasteve i veçantë ishte ai i një pacienti me tetë plagë nekrotike, që shumë mjekë e kishin lënë të dorëzuar. Unë nuk u dorëzova. Me durim, dije dhe besim, ia dolëm që plagët të shëroheshin. Momente të tilla më kujtojnë se kujdesi shëndetsorë për të sëmuret, nuk është vetëm shkencë, por edhe art i dijës i zemrës dhe i dorës.Andaj Logo e Spitexit tonë simbolizon me dijnitet këtë.
Albinfo.ch: Puna juaj është e lodhshme. Si gjeni ekuilibrin mes punës dhe jetës private?
Rexhep Rama: Në fillim, ekuilibrin e gjeja përmes sportit – stërvitesha me juniorët e FC Teufen, ku luanin edhe djemtë e mi. Sot, balancën e gjej në natyrë. Më pëlqejnë shëtitjet në Alpe e këtu afër Alpstein, sidomos hecja deri në Seealpsee, apo pushimet familjare pranë detit. Falenderimim ndaj Krijuesit dhe Natyra është energjia ku rigjenerohem, ku marr frymë thellë dhe rikthehem i mbushur me pasion për të vazhduar punën. Por duhet ta pranoj se shumë nga ky ekuilibër e kam gjetur falë Sevdijes – ajo është njeriu që e mban familjen tonë të bashkuar dhe më kujton gjithmonë se jeta nuk është vetëm punë, por edhe dashuri për njerëzit që do.
Albinfo.ch: Cili është mesazhi juaj për gjeneratat e reja të shqiptarëve në Zvicër?
Rexhep Rama: Mesazhi im është i thjeshtë:, lexoni, mësoni dhe krijoni. Kështu jemi edhe të porositur nga Krijuesi. Mos u ndalni vetëm në një profesion bazë. Vazhdoni drejt studimeve të larta, deri në master e specializime. Shfrytëzoni mundësitë e pafundme që Zvicra ofron. Brezat para nesh kanë punuar fort dhe kanë sakrifikuar shumë për të na hapur rrugën neve. Tani është koha që gjeneratat e reja të ndërtojnë një komunitet të fortë, të suksesshëm dhe të respektuar. Dhe kurrë mos harroni: suksesi i vërtetë nuk është vetëm arritja personale, por ndikimi pozitiv që lë te njerëzit e tjerë.
Albinfo.ch: Si do ta përkufizonit rrugëtimin tuaj?
Rexhep Rama: Është një rrugë e ndërtuar mbi punë të palodhur, besimin tek Zoti dhe dashuri për njerëzit. Nuk kam synuar kurrë të bëj thjesht karrierë, por të jem i thjeshtë dhe i dobishëm. Por dua të theksoj se ky sukses nuk është vetëm i imi. Pa mbështetjen e Familjes, pa durimin dhe përkushtimin e përbashkët, shumë prej këtyre arritjeve nuk do të ishin të mundura. Ajo ka qenë dhe mbetet përkrahja më e fuqishme e jetës sime. Kur shoh buzëqeshjen e pacientëve, mirënjohjen e familjeve, apo suksesin e nxënësve që kanë kaluar praktikën tek unë, ndiej se jam në rrugën e duhur. Dhe kjo, për mua, është pasuria më e madhe e jetës.
Historia e Rexhep Ramës nuk është vetëm një rrëfim karriere, por një thirrje për të gjithë: të jetojmë me dinjitet, të punojmë me pasion dhe të mos harrojmë kurrë humanizmin. Ai e ka ndërtuar suksesin mbi punën e palodhur, mbi besimin tek Zoti, atëdhedashurinë, mbi dashurinë për njerëzit dhe mbi përkrahjen e fuqishme të bashkëshortes Sevdije. Motoja e tij “Bëj mirë dhe e mira të vjen” është mënyrë jetese që ka ndryshuar jetë njerëzish dhe ka frymëzuar breza të rinj. Sepse suksesi i vërtetë nuk matet me numra, por me buzëqeshjet që arrin të kthehesh tek të tjerët.
E-Diaspora
-
swissalbs: Të veprojmë si qytetarë të Zvicrës, pa mohuar identitetin tonë Përparim Avdili: “Koha është pjekur që komuniteti shqiptar jo vetëm të flasë për numrin e tij...
-
Filmi shqiptar „Streha mes reve“, bëri bashkë komunitetet fetare në Wil
-
Cyrih
Hana Syla, presidente e Unionit të Studentëve për Shkenca Humane, Shoqërore, dhe Politike në ETH Cyrih
-
Vjenë
Eksperienca austriake frymëzon delegacionin kosovar në fushën e energjisë
-
Gjermani
Bavari: Nxënësit e diasporës sjellin kulturën shqiptare në Festën e Kulturës në Landshut
Jeta në Austri
-
Vjenë
Eksperienca austriake frymëzon delegacionin kosovar në fushën e energjisë Vjenë: Delegacion zyrtar nga Kosova viziton Austrinë për shkëmbim përvoja në fushën e energjisë së qëndrueshme...
-
“In Between” – Ekspozita e Albana Ejupit, ku piktura takohet me skulpturën
-
Shtetasi kosovar arrestohet për vjedhje me thyerje në shtëpi familjare
-
“Dita Kulturore Shqiptare” rikthehet në Graz, shqiptarët bashkohen më 28 shtator
-
Rritja e kostove çon në largimin e Wizz Air nga Aeroporti i Vjenës