Në fillim të vjeshtës që lamë, kisha rastin të vizitoja për disa ditë pjesën perëndimore të Kosovës. Minibusi kalonte nëpër fshatrat piktoreske të rrethinave të Prizrenit, Malishevës, Rahovecit e Gjakovës. Kishim përshtypjen se nga Kosova kishin ikur të gjithë banorët. Shihje aty-këtu ndonjë të moshuar apo ndonjë fëmijë me çantë shkollore. E gjithë kjo të linte përshtypjen se ato vise ishin në gjumë, se ishte hapur një kllapë në pritje të gjallërisë që do ta sillte mërgata në pushimet e radhës.
Na binin në sy shtëpi të reja moderne në numër të shumëfishtë, me oborre të rregulluara, si nuse të bukura e të stolisura, por që mbanin sytë e mbyllur: roletat e dritareve ishin të lëshuara në shumë prej tyre. Ishte prekëse të konstatoje se mërgimtarët jetën e bëjnë jashtë vendit, ku punojnë e japin sakrifica personale e familjare, por kursimet i dërgojnë duke ndërtuar shtëpi në vendlindje, ose duke bërë dërgesa që në opinion njihen si remitenca. Ky koncept i shumëpërfolur përbën një supapë sigurie sociale e ekonomike për qeveritë e vendeve të prejardhjes, të cilat mbështeten në këto të ardhura për ta mbajtur kokën mbi ujin e varfërisë.
Është fakt se shumica e remitencave i destinohen ndërtimit, duke mbajtur gjallë këtë sektor ekonomik që është nyja e çdo vendi. Dihet se sektori i ndërtimit është bartës i ekonomisë së një vendi, dhe se kërkesa e oferta në këtë fushë ekzistojnë falë investimeve të mërgimtarëve, që blejnë banesa apo ndërtojnë shtëpi e objekte. Mund të jepen vlerësime kritike, madje përbuzëse (“gërnaça”), por duhet kuptuar se shtëpia për mërgimtarin simbolizon suksesin e një jete sakrificash. Shtëpia ngërthen emocionin e një të çrrënjosuri në kërkim të rrënjëve.
Ky avaz i remitencave nuk do të zgjasë përjetësisht, sidomos me ardhjen e gjeneratave të reja që nuk i ndajnë botëkuptimet e prindërve të tyre lidhur me vendlindjen. Ata nuk kuptojnë sesi kursimet e një jete investohen në patundshmëri, në vend ku ata nuk jetojnë e që nuk i rrit vlerën investimit.
Nga ana e politikëbërësve, duhet menduar seriozisht se si të ndryshohet qasja ndaj diasporës dhe remitencave që ajo sjell për “shtretër të ftohtë” në Kosovë e viset e tjera shqiptare. Duhet një ofertë konkrete, që mjetet e tyre të investohen edhe në sektorë ekonomikë ku garantohet mbështetja e Shtetit të prejardhjes, dhe ku mërgimtarët mund të përfitojnë nga frutet e kursimeve të tyre. Një shembull mund të jetë blerja e aksioneve të sektorëve strategjikë (ndërmarrjet publike) nga diaspora. Por kjo kthesë kërkon profesionistë të politikave publike për tërheqjen e investimeve nga diaspora. Të shpresojmë se kjo “dosje” nuk do t’u lihet përsëri atyre që nuk dëshmuan asnjë kapacitet për t’u marrë denjësisht me portofolin e ministrisë së Diasporës.