Kosova
REL: Punonjës të strukturave paralele punojnë edhe nga shtëpia edhe pranë pikave kufitare pas mbylljes së tyre

Punë edhe nga shtëpia, edhe nga një qytet kufitar i Serbisë. Ky është rasti i Milloshit nga veriu i Kosovës tashmë disa muaj, pasi autoritetet e Kosovës e kanë mbyllur institucionin ku ai ka punuar, me arsyetimin se veprimtaria e tij, brenda sistemit të Serbisë, ka qenë e paligjshme.
Identiteti i vërtetë i tij, institucioni ku ai punon dhe vendbanimi i tij në Kosovë janë të njohur për Radion Evropa e Lirë, por ai kërkon që të gjitha të mbeten anonime, nga frika se mund të akuzohet për “falsifikim dokumentesh” – ashtu siç e karakterizon, zakonisht, punën në institucionet serbe Prokuroria e Kosovës.
Në muajin dhjetor, REL-i ka përcjell shkuarjen në punë të Milloshit dhe të disa qytetarëve të tjerë në një qytet kufitar të Serbisë.
Ata nisen rreth orës 7:00 në mëngjes. Nganjëherë vonohen për shkak të tollovisë në trafik, por palët i presin me padurim para zyrave alternative, të vendosura në kontejnerë të zinj, pranë pikave kufitare: Bërnjak, Jarinjë e Merdare.
Disa kërkojnë certifikata ose dokumente të tjera administrative, të lëshuara nga autoritetet serbe, e të tjerë dokumente për kredi në bankë, apo të ngjashme.
Gjatë tri-katër ditëve të tjera të punës në javë, Milloshi punon nga shtëpia në Kosovë.
Në shtator të vitit të kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do t’i mbyllë institucionet për Kosovën dhe ka paralajmëruar hapjen e “zyrave moderne” në anën serbe të pikave kufitare.
Ai ka premtuar edhe më shumë të ardhura për ata që udhëtojnë, në mënyrë që t’u mbulohen shpenzimet.
Por, ka edhe nga ata që nuk shkojnë në punë pas mbylljes së institucionit të tyre nga autoritetet e Kosovës.
Petri nga Mitrovica e Veriut është një nga ta. Ai shkon në Rashkë të Serbisë vetëm për të marrë rrogën, meqë dinari serb është hequr nga përdorimi në Kosovë qysh në shkurt të vitit të kaluar.
“Unë nuk shkoj në punë, por rroga më del në llogarinë në dinarë. Ndoshta edhe kjo është dashur të zgjidhet, në mënyrë që rroga të na dalë në euro”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
*Lidhur me këtë REL-i ka biseduar me disa banorë në veri. Derisa serbët lokalë thonë se këto masa ua vështirësuan jetesën, shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre në veri 25 vjet pas luftës, e shohin këtë ndryshe.
Cilat institucione janë mbyllur deri më tani?
Autoritetet e Kosovës kanë vazhduar edhe këtë vit me mbylljen e institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë e që Prishtina zyrtare i konsideron të paligjshme.
Më 8 janar është mbyllur Administrata Tatimore në Mitrovicë të Veriut – njërën nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – ka thënë se autoritetet kosovare i kanë mbyllur hapësirat e saj, por jo edhe Administratën Tatimore të Republikës së Serbisë që vepron në Kosovë.
Pas një takimi me rreth 80 punonjës të kësaj administrate, ajo ka thënë se ata do të vazhdojnë t’i marrin normalisht të gjitha përfitimet nga buxheti i Republikës së Serbisë.
Takime të ngjashme, kjo parti ka mbajtur edhe me punëtorët e Drejtorisë për Urbanizëm, të Drejtorisë për Hapësira Banesore dhe Afariste dhe të Drejtorisë për Toka Ndërtimore në Mitrovicë të Veriut, të cilat janë mbyllur në fund të dhjetorit të vitit 2024.
Atyre u është premtuar se do të vazhdojnë të marrin paga dhe se do t’u ofrohet çdolloj mbështetjeje.
Kosova ka nisur mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.
Pastaj janë mbyllur organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Ndërkohë janë mbyllur edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.
Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë kanë funksionuar në sistemin e Serbisë.
Presidenti serb, Vuçiq, ka thënë në mes të shtatorit se mbyllja e tyre ka lënë rreth 5.800 persona pa punë, por se ata do të vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cilëson mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë si “konfiskim të pronës serbe dhe okupim”.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur këtë zyrë nëse ka ndonjë plan afatgjatë për institucionet që janë duke i mbyllur autoritetet e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.
Gjatë vitit të kaluar, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka përvetësuar edhe disa objekte në veri, duke thënë se ka juridiksion mbi to.
Disa prej tyre, ajo ua ka dhënë me qira biznesmenëve shqiptarë, të cilët kanë hapur dyqane ushqimore, restorante, pastiçeri apo kafene, por popullata lokale serbe, kryesisht, i bojkoton ato.
Po ashtu, në fund të vitit 2023, Agjencia e Privatizimit ka marrë nën kontroll resortin Rajska Banja në Banjskë, afër Zveçanit, rinovimi dhe ndërtimi i të cilit janë iniciuar nga Qeveria e Serbisë, përmes Zyrës së saj për Kosovën, në vitin 2015.
Zyrtarët serbë kanë thënë se Qeveria serbe ka investuar rreth shtatë milionë euro në këtë projekt.
Komuna e Zubin Potokut ka marrë nën kontroll edhe objekte banimi që janë ndërtuar me mjete të Qeverisë së Serbisë.
Në Mitrovicë të Veriut, ndërkohë, janë ndërprerë disa projekte të financuara nga Serbia – mes tyre, ndërtimi i një universiteti që do të funksiononte brenda sistemit serb.
E-Diaspora
-
Zhduket një 13-vjeçare nga Kosova në Gjermani, policia gjermane dhe familja kërkojnë ndihmën e qytetarëve Një vajzë 13-vjeçare me origjinë nga Istogu, e identifikuar si Arta Hajzeraj, është raportuar e zhdukur...
-
Nga gushti i vitit të ardhshëm, Italia heq kartën e identitetit fizikë, preken edhe shqiptarët
-
4 milionë euro për policen e sigurimeve për mërgimtarët, vlerësohet vendim i padrejt
-
Nga 1 korriku, Aeroporti i Prishtinës nis fluturime të rregullta drejt Lionit
-
Detaje të reja rreth vrasjes së 25-vjeçarit shqiptar në Itali
Jeta në Austri
-
Rritje e interesimit për studimet mjekësore në Austri Interesimi për studimet mjekësore në Austri është rritur ndjeshëm këtë vit, me 15,668 kandidatë të regjistruar...
-
Zjarr i madh në impiantin e riciklimit në Tirolin Lindor
-
Subvencionet mbi 1,500 euro do të bëhen publike në Austri nga shtatori
-
Vala e të nxehtit në Austri nxit masa emergjente
-
Austria synon të shtyjë punonjësit mbi 60 vjeç të qëndrojnë më gjatë në punë