Lajme

Rekord: Bankat pesëfishojnë fitimet

Rreth 50 milionë dollarë në 5 muajt e parë të vitit i kanë fituar bankat private në Shqipëri.

Bëhet fjalë për mesatarisht 10 milionë dollarë në çdo muaj. Fitimet e sistemit bankar janë rritur për 5 herë, duke shënuar një rekord historik, tregojnë të dhënat e fundit zyrtare nga Shoqata shqiptare e bankave, transmetojnë mediat në Tiranë.

Shifrat tregojnë përmirësim të fortë në të gjithë treguesit që masin përfitueshmërinë e sistemit. Kthimi nga kapitali, i cili mat fitimin e bankave në raport me paratë e investuara nga aksionarët e tyre, arriti 11.2 për qind në fund të pesëmujorit.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thonë se pjesa kryesore e rritjes së fitimeve të gjeneruara nga bankat lidhet me rënien e fondeve që ato duhet të lënë mënjanë për të mbuluar kreditë e këqija.
Këto të fundit, prej disa muajsh kanë ndalur rritjen dhe janë stabilizuar në nivelin 24 për qind.

Kjo i ka çliruar bankat nga detyrimi për të ngrirë fonde të reja shtesë në formën e provizioneve për mbulimin e humbjeve që vijnë nga kreditë me probleme.

Por, përtej kësaj, të dhënat tregojnë se viti 2014, i cili për ekonominë dhe qytetarët parashikohet sërish një vit i vështirë, duket se nuk do të jetë i tillë për sistemin financiar, transmeton TCH.