Lajme

Refuzohet lirimi i Lushtakut, Skenderaj në rivotim!

Në zgjedhjet e 3 nëntorit, Lushtaku u rizgjodh kryetar i Skenderajt, por ai gjendet në paraburgim nën akuzën për krime lufte. EULEX-i refuzoi lirimin e tij

 

Komuna e Skenderajt do të shkoj në rivotim pasi që misioni i EULEX-it nuk e lëshoi nga paraburgimi, kryetarin Sami Lushtaku që të japë betimin para Asamblesë Komunale. Në zgjedhjet e 3 nëntorit, Lushtaku u
rizgjodh kryetar i Skenderajt, por ai gjendet në paraburgim nën akuzën për krime lufte.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisjes Lokale, kandidati që merr shumicën e votave gjatë zgjedhjeve, pas certifikimit nga KQZ, duhet të japë betimin para Asamblesë Komunale.

Betimi formalisht e konfirmon kryetar komune, ndërsa nëse nuk është prezent në sallë për t’u betuar, ai e humbë këto të drejt.

Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës që drejtohet nga kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar nga Gjykata e EULEX-it që Lushtakun ta lëshojë nga paraburgimi, qoftë edhe për 10 minuta, në mënyrë që ai ta japë betimin, dhe në këtë mënyrë të shmangen zgjedhjet e reja në këtë komunë.

Mirëpo sot Gjykata Themelore e Mitrovicës ka vendosë që Lushtaku, komandant rajonal i UÇK-së, të mbetet në paraburgim. Ai është një nga figurat më me ndikim në PDK.

Në seancën fillestare që u mbajt të premten, Arianit Koci, avokat i Sami Lushtakut, kërkoi nga kryetari i trupit gjykues Dariusc Sielicki që ta liroj klientin e tij vetëm për disa orë në mënyrë që ta bëjë betimin.

Koci, ndërkaq ka konfirmuar për KP se Gjykata ka refuzuar kërkesën e tij për lirimin e Lushtakut, për ta bërë betimin para Asamblesë komunale në Skenderaj. “Kërkesa ime është refuzuar”, ka thënë shkurt Koci.

Edhe përfaqësuesit e EULEX-it ka konfirmuar se kanë marrë vendim përkitazi me rastin Lushtaku. “Vendimi është marrë por nuk mund ta komunikojmë për publik para se të njoftohen palët rreth këtij vendimi”, ka thënë zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi.

Ndryshe, Sami Lushtaku së bashku me ish-komandantin e UÇK-së, Sylejman Selimin dhe 13 bashkëluftëtarë të tjerë janë gjetur në një aktakuzë të Prokurorisë Speciale të EULEX-it, nën dyshimet se gjatë luftës në Kosovë (1999) kanë bërë krime lufte në një burg të improvizuar në fshatin Likoc të Skenderajt.

Në seancën fillestare të gjithë ish-guerilët e UÇK-së e kanë mohuar aktakuzën.