Refuzohet kuota për njerëzit me aftësi të kufizuara

"Kuota..." parashihte që ndërmarrjet me mbi 250 punëtorë, të rezervojnë së paku 1 për qind për personat nga kjo kategori

Dhoma nacionale e parlamentit Federal, në kuadrin e revizionit të gjashtë që po i bën ligjit mbi pensionet invalidore, ka hedhur poshtë propozimin që ndërmarrjet të detyrohen të punësojnë një numër personash me aftësi të kufizuara.

E ashtuquajtura “kuotë e njerëzve me aftësi të kufizuara” parashihte që ndërmarrjet me më shumë se 250 punëtorë, duhet të rezervojnë së paku 1 për qind për personat nga kjo kategori, njofton SF1.

Votat e SVP-së, FDP-së dhe BDP-së kanë qenë vendimtare për refuzimin e kuotës. Ndërsa partia CVP ka qenë e ndarë, me ç`rast shumica ka votuar pro kuotës. Nga ana tjetër, të majtët dhe të gjelbrit kishin kërkuar një kuotë punësimi të njerëzve me aftësi të kufizuara prej 2% në ndërmarrjet me mbi 100 punëtorë.

Ministri për punë sociale Didier Burkhalter është shprehur kundër kuotave por ka pranuar se ndërmarrjet nuk kanë bërë sa duhet deri më tash në këtë drejtim.