Integrimi

Rruga e refugjatëve për Evropë kalon nëpër ferrin maqedonas

Ata që nuk mund të hipin në tren mbeten t`i shtyjnë ditët në vapën përcëlluese dhe të keqtrajtuar nga policia. Kështu e përshkruan spiegel.de situatën në “kampet” e improvizuara të refugjatëve në qytetin maqedonas ne kufi me Greqinë

Gjevgjelia është një “vrimë gjilpëre” në të cilën janë të detyruar të depërtojnë refugjatët që ja mësyjnë rrugës ballkanike për në perëndim. Këtu ata duhet të marrin trenin që i çon më tutje. Ata që nuk mund të hipin në tren mbeten t`i shtyjnë ditët në vapën përcëlluese dhe të keqtrajtuar nga policia. Kështu e përshkruan spiegel.de situatën në “kampet” e improvizuara të refugjatëve në qytetin maqedonas ne kufi me Greqinë.
“Është si një dyndje popujsh në miniaturë ajo që po ndodh të hënën në rrugë për në Maqedoni. Rreth 200 njerëz janë në rrugë. Ata vijnë ga Alepo, Homs, Kobane, Tartus, Hama, Damask – duket se e gjithë Siria është ngritur në këmbë, transmeton albinfo.ch. Grupi udhëton përgjatë shinave të hekurudhës që çojnë nga fshati grek Idomeni në Gjevgjelinë e Maqedonisë.
Përgjatë shinave, qëndrojnë pesë policë maqedonas të cilët i urdhërojnë njerëzit që të presin, pa shpjeguar pse dhe sa gjatë. Sirianët i heqin torbat nga shpina, gratë dhe fëmijët kërkojnë një vend nën hije. Gjatë pesë orëve në vijim numri i pritësve shkon në rreth 400 sish.

Rruga për në Evropë

Nuk janë të gjithë sirianë, edhe disa irakianë kanë mbërritur deri këtu. Ka nga ata që paraqiten si sirianë, pasi që e dinë se kështu i pret një procedurë më e shkurtë dhe e më shumë gjasa për azil. Por një gjë e kanë të përbashkët të gjithë: ata para pak ditësh kanë hyrë në Evropë duke zbarkuar në ishujt grekë: Kos, Lesbos, Chios, në afërsi të bregdetit turk. Për çdo ditë atje arrijnë deri 1500 veta, një rekord deri tash. Shumica e tyre duan që sa më shpejtë që të jetë e mundur të shkojnë drejt Evropës Perëndimore. Fluksi i madh bën që tash, në rrugën kryesore që çon andej, në Ballkan të bllokohen në mënyrë te rrezikshme.
Në skaje të sheshit janë vendosur dy stenda ku grekët u shesin refugjatëve ushqime dhe ujë. Në fakt të gjithë këtu në regjion dëshirojnë që t`i heqin qafe mysafirët e paftuar por, para kësaj duan të nxjerrin ca para shpejt e shpejt.

Pas katër orë pritjeje një polic maqedonas e njofton turmën në gjuhen angleze se atje përpara është krijuar një kolonë shumë e dendur njerëzish. Kjo është me rrezik për jetën e grave dhe fëmijëve. Kështu është në Gjevgjeli qytetin kufitar prej nga refugjatët përmes rrugës hekurudhore ia mësyjnë Evropës…
Por në fakt küeta refugjatë duhej të qëndronin në Greqi në vendin e parë të BE-së në të cilin kanë hyrë. Kështu kërkohet nga marrëveshja evropiane për azil. Por, pas një vendimi gjyqësor, asnjë vend i BE-së nuk ka të drejtë t`i kthejë ata në Greqi. Kushtet në shtetin e goditur rendë nga kriza financiare janë tepër të vështira për refugjatët.

Maqedonia dhe Serbia u japin refugjateve letra për 72 orë, kohë gjatë të cilës ata duhet të regjistrohen dhe të kërkojnë azil. 72 orë janë tri ditë dhe këto mjaftojnë për transit. Kështu, shumica vazhdojnë tutje, shkruan spiegel.de, transmeton albinfo.ch

A flitet frëngjisht në Holandë?

Është për t`u habitur se sa pak dinë këta njerëz për vendet ku do të shkojnë. Shumica duan të ikin në Gjermani ose në Suedi pasi që kanë dëgjuar se atje janë më të mira kushtet për refugjatët. Është fakt se në Suedi secili sirian fiton të drejtën e pakufizuar të qëndrimit. Njëherë për njëherë! Sepse po mendohet për një ndryshim. Sa i përket Gjermanisë, shumica e kane mendjen te kompanitë e njohura botërore të këtij vendi ku shpresojnë të punësohen. Kështu, refugjatët i vërshojnë gazetarët evropianë me pyetjet si: Cili është vendi më i mirë, a e fitoj në Gjermani shpejt shtetësinë, a flitet frëngjishtja në Holandë etj.
Dy gra shtatzëna me fëmijët e vegjël duan të shkojnë nën hije të drurëve aty afër por një polic maqedonas i godet ato me shkop. Refugjatët janë të zemëruar por megjithatë situata nuk përshkallëzon.
Muhamedi nga Iraku pasi ka kaluar një ditë në ketë skëterrë, është dorëzuar dhe do të kthehet mbrapa në Greqi.

Ai thotë: “Më mirë vdes ne Bagdad se të qëndroj edhe një ditë në Maqedoni”

Gjendja në Gjevgjeli është dramatike. Refugjatët flenë në kuti kartoni, në rrugë, duke pritur për një vend në trenin që i çon tutje në Evropë. Këtë javë janë shtrenjtuar edhe çmimet e biletave…
Treni i orës 17 niset, fillon rrëmuja. Nuk ka rregulla për të drejtuar fluksin. Të gjithë shtyhen për një vend dhe para të gjithëve janë të rinjtë që i zënë vendet. Tash vagonët mbushen ndërsa policet maqedonas i godasin me kërbaçë ata që janë duke pritur, për t`i larguar nga binarët. Një siriane këlthet e dëshpëruar pasi që i ka humbur vajza në turmë. Pak më vone e gjen atë dhe e shtrëngon në gjoks. Asaj i rrjedhin lotët në faqe. Megjithatë edhe nesër do të vijë të presë këtu trenin…