Lajme

Reduktimi i çmimit të gazit, BE-së i kërkohet të ketë kujdes

Ministrat e energjisë të BE-së do të takohen më 30 shtator për të debatuar mbi masat e emergjencës dhe për t’i dhënë atyre dritën jeshile.

Bashkimi Evropian duhet të tregohet “shumë i kujdesshëm” në lidhje me vendosjen e një kufiri për çmimin e të gjitha importeve të gazit që hyjnë në vendet e bllokut, ka paralajmëruar Anna Lührmann, ministrja gjermane e shtetit për Europën.

Idea për një kufizim të çmimit të gazit në mbarë BE-në ka marrë vëmendje javët e fundit, pasi çmimet vendosën rekorde të reja gjatë muajit gusht dhe bënë që faturat e energjisë elektrike të arrijnë nivele tepër të larta.

Italia, Belgjika, Greqia, Suedia dhe Polonia janë ndër vendet e unionit që e mbështesin këtë nismë, e cila është ende në fazat e saj të para.

Por, Gjermania, ekonomia më e madhe e BE-së dhe konsumatori më i madh i gazit nga vendet e unionit, mbetet kundër kësaj nisme, duke besuar se kjo masë mund të sjellë largimin e furnitorëve dhe mund të rrezikojë sigurinë e furnizimit të bllokut me gaz.

“Problemi me kufizimin e çmimit është se: nëse ne si BE vendosim një kufi për çmimin, në mënyrë të njëanshme, dhe të gjithë konsumatorët e tjerë në mbarë botën nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë gazi do të shkojë te konsumatorët e tjerë dhe, kështu, mund të kemi mungesa në furnizimet me gaz”, tha Lührmann për Euronews në një intervistë.

“Pra, mendoj se duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm me këto lloj kufizimesh për çmimet dhe duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të diversifikuar strukturën tonë të ofertës. Kjo do të ndihmojë gjithashtu në adresimin e problemit të çmimeve.”

Lührmann tha se, në vend të vendosjes së një kufiri horizontal për çmimet e importit të gazit, BE duhet të angazhohet drejtpërdrejt me furnizuesit kryesorë të gazit dhe të negociojë për çmime më të ulëta.

“Do të ishte e rëndësishme që të diskutonim me furnizuesit e gazit, si për shembull me Norvegjinë, për mënyrat se si mund të ulim çmimin, sepse ata kanë një interes tepër të madh për Bashkimin Europian dhe për tregun europian”, tha ministrja.

“Por, në përgjithësi, nuk ka asnjë alternativë ndaj rëndësisë për të gjetur mënyrat se si ne mund ta përdorim energjinë në mënyrë më efikase dhe se si mund të ndërtojmë një sistem të qëndrueshëm të energjisë, të bazuar kryesisht te burimet e rinovueshme.”

Norvegjia, e cila këtë vit zëvendësoi Rusinë si furnizuesi kryesor i gazit për BE-në, ka thënë se është “skeptike” për vendosjen e një kufiri për çmimin, por mbetet e hapur për të gjetur një zgjidhje. Suficiti tregtar i këtij vendi arriti nivelin më të lartë historik prej gati 20 miliardë euro në muajin gusht, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.

Komisioni Europian po studion rreziqet e mundshme të kësaj mase, duke përfshirë ndikimin që ajo mund të ketë në tregun e gazit natyror të lëngshëm, por nuk ka paraqitur ende një propozim zyrtar që të mund të diskutohet nga ministrat.

Për momentin, paketa emergjente e BE-së do të fokusohet në tre elementë: kursimin e energjisë elektrike gjatë orëve të pikut, vendosjen e një kufiri për të ardhurat e tepërta të fituara nga centralet pa gaz (që përdorin energjinë e erës, atë diellore ose bërthamore) dhe një taksë mbi fitimet shtesë të kompanive të karburanteve fosile.

Qëllimi i kësaj pakete është reduktimi i kërkesës, duke mbledhur gjithashtu para shtesë për qeveritë.

“Ne mund t’i përdorim këto para dhe t’ua kthejmë ato konsumatorëve, qytetarëve, veçanërisht personave në nevojë, në mënyrë që të ulim çmimet për ta,” tha Lührmann.

Ministrja, e cila është pjesë e partisë së “Të Gjelbërve”, tha se masat e reja të BE-së janë një pikënisje “shumë e mirë”, por ato duhet të plotësohen me një përpjekje shtesë në nivel kombëtar për të nxitur rritjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme.

“Jam mjaft e bindur se, nëse i ndjekim këto masa,” tha ajo, “ne mund të arrijmë ta kalojmë këtë dimër dhe, gjithashtu, mund të krijojmë kushtet e duhura për t’i bërë ekonomitë tona të qëndrueshme, edhe pa furnizimet me energji nga Rusia.”