Lajme

Rasmussen, thotë se nuk do të ketë kthim mbrapa

Sekretar i Përgjithshëm i NATO-së, Anders Fogh Rasmussen e ka bërë të qartë se nuk do të ketë kthim prapa para situatës së 25 korrikut

Sipas tij KFOR-i do të jetë në mandatin e vet që të ofrojë një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, një ditë para se do të ndodh kthimi i doganierëve dhe policëve në pikat kufitare 1 dhe 31, ka dhënë një mesazh të qartë, që NATO-ja për 12 vite ka ofruar një stabilitet dhe siguri dhe për këtë nuk do të ketë më kthim prapa.

“Me lejoni që të jem shumë i qartë, se nuk ka kthim mbrapa. NATO-ja ka kaluar 12 vite duke sigluara stabilitet dhe siguri, dhe nuk do të lejojë që kjo arritje të rrezikohet. Misioni i KFOR-it është të mbajë një ambient të qetë dhe të sigurt dhe do të vazhdojmë të mbajmë atë në mënyrë të sigurt, më mënyrë të kujdesshme dhe të paanshme”, ka theksuar Rasmussen.

Nga ana tjetër kryeministri, Hashim Thaçi ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës vazhdon të jetë në fuqi për kthimin e rendit dhe ligjit në atë pjesë, duke shtuar se implementimi i marrëveshjes për vulat doganore do të fillojë të premten.

Sipas tij është edhe vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i mbështetur nga faktorët relevant ndërkombëtar, për implementimin marrëveshjes dhe vulat doganore, nesër që do të ndodh në pikën 1 dhe 31, ku do të jenë autoritetet kosovare, autoritetet e EULEX-it, gjithashtu me krijimin e kushteve të sigurisë dhe ambientit të sigurt nga NATO.