Jeta në Zvicër

Qeveria, zgjidhjen për Kroacinë e kërkon në bisedime me BE-në

Që Kroacia të mos diskriminohet nga miratimi i "Iniciativës kundër migrimit masiv", Qeveria e Zvicrës po kërkon një zgjidhje në bashkëveprim me BE-në

Pas miratimit të iniciativës kundër migrimit masiv në referendumin e 9 shkurtit, Zvicra nuk mund të nënshkruajë protokollin për zgjerimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me Kroacinë. Mirëpo, që Kroacia si anëtarja më e re e BE-së të mos diskriminohet nga kjo, Qeveria e Zvicrës po kërkon një zgjidhje në këtë drejtim, në bashkëveprim me BE-në.

Në një mbledhje të mbajtur të mërkurën Këshilli Federal ka ngarkuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të drejtësisë që të nisin konsultimet me BE-në.

Këshilli Federal shpreson se një pajtim në dosjen e Kroacisë do të çojë në rifillimin e bisedimeve mbi marrëveshjen për kërkime shkencore Horizon 2020 dhe programet Erasmus+ si dhe Media/Kultur. Siç dihet, pjesëmarrja e Zvicrës nga këto programe është pezulluar për shkak të miratimit të “Iniciativës…”

Qeveria është konsekuente në qëndrimin e saj që bisedimet aktuale dhe të ardhshmet në çështjet e ndryshme që kanë të bëjnë me politikën evropiane t`i çojë përpara në tërësinë e tyre, në mënyrë që Zvicra të realizojë rezultatet më të mira të mundshme prej tyre, thuhet në një komunikatë për shtyp të Këshillit Federal.