Lajme

Qeveria heq “dënimin martesor”

Në të ardhmen, personat në bashkësi martesore nuk do të diskriminohen me tatime në raport me çiftet që jetojnë në konkubinat

Qeveria Federale ka dërguar një projektligj në përpunim, me të cilin do të anulohej “dënimi martesor”, siç quhet detyrimi i të martuarve për të paguar tatim. Me llogaritjen e re, çiftet e martuara do të paguajnë më pak tatim, gjë që do të dëmtonte administratën tatimore për 1 miliardë franga në vit. Por, qeveria është shprehur e vendosur që këtë ta kompensojë përmes tatimit mbi vlerën e shtuar.

Se çiftet e martuara janë të diskriminuara në krahasim me ato të pamartuara, është shprehur me një vendim edhe Gjykata Federale e Zvicrës. Sipas saj, është antikushtetuese që për të ardhurat e njëjta, tatimi që duhet ta paguajnë të martuarit është për 10 për qind më i madh se ai i të pamartuarve që bashkëjetojnë.

Janë 80 mijë çifte me të ardhurat e përbashkëta neto vjetore prej 80 mijë frangash, që preken nga ky ndryshim. Ndërsa te pensionistët pragu është 50 mijë franga në vit.