Shkurt.ch

Qendër azili me shumë ndalesa

Nga e hëna është hapur zyrtarisht qendra për pranimin e 150 azilkërkuesve në Bremgarten të Kantonit Argau. Banorët e kësaj qendre nuk do të kenë qasje në pishinë dhe në objektet e tjera sportive

Në kampin në bazën ushtarake, në Bremgarten të Kantonit Aargau është hapur që nga 5 gushti një qendër për azilkërkuesit. 

Para se të hapet një qendër e tillë është polemizuar për rregullat strikte që duhet t’i respektojnë azilkërkuesit. 
 
Siç njofton Zyra Federale për Migracion, akomodimi shtesë i azilkërkuesve në këtë vend është mbështetur në përshpejtimin e procedurave të azilit.
AOZ, një Organizatë për azilantët në Cyrich, është përgjegjëse për kujdesin e azilkërkuesve dhe për funksionimin normal të qendrës. AOZ do të bashkëpunojë me BFM-në rreth programeve të punësimit për azilkërkuesit.
 
Këto punë janë pastrimi i bankave, renovimi i zonave për piknik, etj. Qeveria e Zvicrës do të paguajë shpenzimet që do të dalin nga programet e sigurisë dhe punësimit.
 
Por, rregullat strikte në shtëpi për azilkërkuesit kanë nxitur polemika. Për banorët do të aplikohet e ashtuquajtur “zona e ndaluar”.  Azilkërkuesit nuk guxojnë t’u qasen pishinave, objekteve sportive.
 
Këto ndalesa janë të përcaktuara në një marrëveshje në mes të qytetit dhe Zyrës Federale për Migracion. 
 
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë kritikuar javën e kaluar  një vendim të tillë. Në një letër drejtuar Ministrisë së Drejtësisë është kërkuar shfuqizimi i ndalesave të këtilla për azilantët.
 
Edhe të Gjelbrit në Aargau kanë kërkuar nga qeveria federale heqjen e këtyre kufizimeve.
 
“Duhet të ndalen këto ndalesa raciste”, thuhet në një deklaratë të kësaj partie.