Lajme
Berlin: Gjendja në Bosnjë e Hercegovinë është alarmuese

Mësohet se qarqe qeveritare nga Berlini thanë se janë të shqetësuar për situatën në Bosnjë e Hercegovinë dhe se po përpiqen me Quint-in të gjejnë një zgjidhje për të penguar përhapjen e konfliktit në rajon.
Jemi të alarmuar pas raportit të paraqitur nga Përfaqësuesi i Lartë (HR), Christian Schmidt, thuhej nga qarqet qeveritare të mërkurën në mbrëmje në Berlin. “Qeveria Federale ndan shqetësimin e madh të Përfaqësuesit të Lartë Schmidt për situatën e brendshme politike në Bosnjë e Hercegovinë dhe sidomos për një sërë deklaratash të presidentit serb, Milorad Dodik. “Thirrjet për shkëputje dhe për hapa për dobësimin e shtetit në tërësi janë të papërgjegjshme dhe krejtësisht të papranueshme”, thuhet ndër të tjera në një prononcim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë për DW.
Ministria e Jashtme gjermane gjykon më tej se Bosnjë e Hercegovina po ecën prapa dhe se ekziston rreziku i një krize të përhershme me pasoja negative për qytetarët e gjithë vendit. “E gjithë kjo rrezikon stabilitetin jo vetëm të Bosnjë e Hercegovinës, por të të gjithë rajonit. Ne jemi duke u konsultuar intensivisht me partnerët tanë, veçanërisht në BE, në Kuint dhe në Ballkanin Perëndimor dhe në kuadër të Këshillit për Zbatimin e Paqes, për hapat që mund të ndërmarrim për të shmangur një zhvillimi të tillë”, përfundon deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane. Kuinti përbëhet nga përfaqësues të pesë shteteve perëndimore: Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë, Christian Schmidt, kishte paralajmëruar më parë në një raport për Këshillin e Sigurimit të OKB-së për një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës në Bosnjë e Hercegovinë.
“Bosnjë e Hercegovina po përballet me kërcënimin e saj më serioz ekzistencial të periudhës së pasluftës”, shkruante diplomati gjerman dhe ish-ministri i Bujqësisë në raportin e tij më të fundit drejtuar Kombeve të Bashkuara, bën të ditur dpa.
Raporti fajëson Milorad Dodik, përfaqësuesin e serbëve në trion presidenciale të Bosnjë e Hercegovinës, për përshkallëzimin e situatës. Dodik po përgatit krijimin e ushtrisë së vet për Republikën Serbe, çfarë do të çonte në prishjen e ushtrisë së vendit, thuhej në raport. Përveç kësaj, politikani serb i Bosnjës tashmë po bllokon institucionet shtetërore, si presidencën dhe Parlamentin përmes bojkotit të tij. Nëse bashkësia ndërkombëtare vazhdon ta pranojë këtë politikë, Republika Serbe do të “largohet nga rendi kushtetues i Bosnjës” dhe do të minojë Marrëveshjen e Paqes të Daytonit”, shkruante Schmidt në raport.
Në vitin 1995, Marrëveshja e Daytonit i dha fund luftës së përgjakshme trevjeçare në Bosnjë e Hercegovinë. Ndër të tjera, marrëveshja parashikonte krijimin e dy pjesëve gjysmautonome të vendit, Federatës Boshnjake-Kroate dhe Republikës Serbe. Përveç kësaj, ajo krijoi zyrën e Përfaqësuesit të Lartë, e cila është paraparë të monitorojë respektimin e Marrëveshjes së Paqes. Politikani gjerman kristiansocial, Christian Schmidt, e mori këtë post në gusht të vitit 2021.
Ndërkohë Këshilli i Sigurimit i OKB-së e zgjati unanimisht misionin e BE-së në Bosnjë edhe për dymbëdhjetë muaj të tjerë. Para kësaj, megjithatë, kishte pasur një mosmarrëveshje për rolin e Schmidtit si Përfaqësues i Lartë – Rusia argumenton se pozicioni nuk është më i nevojshëm. Nën kërcënimin e një vetoje për zgjatjen e misionit të BE-së, Moska e pengoi Schmidt-in të informonte organin më të fuqishëm të OKB-së në Nju-Jork të mërkurën mbi bazën e raportit të tij mbi situatën në Bosnjë e Hercegovinë, bën të ditur dpa./DW
E-Diaspora
-
Dy nxënës nga Kosova fitojnë nga 5 medalje në Paris Të dy dëshmuan talent, përkushtim dhe nivel të lartë përgatitjeje...
-
Në pushime me fëmijën, në kohë shkolle: Kjo mund t`i kushtojë 1000 euro kosovares
-
TECH FORUM 2025, Cyrih: Kosova dhe shqiptarët, një “superfuqi” e TI-së
-
Katër shqiptarë akuzohen për mashtrim kibernetik, dëmi: Mbi një miliard euro
-
Dr. Kaltrina Zahiti: Për një trajtim më të përgjegjshëm të syve
Jeta në Austri
-
Tradita e pushimeve: Ku do të shkojnë austriakët në verën e 2025? Pavarësisht rritjes së kostove, pushimet mbeten një prioritet për austriakët në verën e 2025, edhe pse...
-
Austri: Buxheti i ri sjell rritje të ndjeshme tarifash për qytetarët
-
Pesë mënyra se si mund të kurseni para kur blini ushqim në Austri
-
Vjena sheh rritje 30% të rasteve të mbidozës së drogës tek adoleshentët
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri