Puna rreth ligjit për dëbimin mund të fillojë

Pasi që ministrja Sommaruga ka zbutur qëndrimin, SVP-ja parimisht është e gatshme për bashkëpunim

Puna për shndërrimin në ligj të iniciativës për dëbimin e të huajve kriminelë, e cila qe miratuar nga populli i Zvicrës muajin e kaluar, më në fund pritet të fillojë. Të shtunën partia që kishte iniciuar atë, SVP-ja, kishte pranuar t`ia bashkonte dy anëtarët e saj komisionit të krijuar për këtë qëllim nga ministrja e Drejtësisë, Simonetta Sommaruga.

SVP-ja kishte ngurruar t`i bashkohej këtij komisioni për shkak të disa rezervave që kishte lidhur me pikën për mënyrat e këmbimit të informatave në mes të palëve. “Pasi që ministrja Sommaruga ka zbutur qëndrimin në këtë pikë, SVP parimisht është e gatshme për bashkëpunim”, ka thënë kryetari i kësaj partie, Toni Brunner, në emisionin Tagesschau të transmetuesit publik televiziv sf. Për nisjen konkrete të punës ai kërkon edhe një vërtetim për këtë çështje që do ta dërgonte personalisht Sommaruga.

Ndërkohë, në komision janë emëruar përfaqësuesit e kantoneve dhe ata të ministrisë përkatëse. Komisioni fillon punën në janar të vitit që po vjen dhe pritet ta përfundojë në muajin qershor.