Lajme

Pse është e rrezikshme për bankat kërkesa e lartë për ari?

Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka ngritur alarmin për një zhvillim të pazakontë në tregjet financiare: ari ka tejkaluar euron si rezervë e dytë globale më e rëndësishme për bankat qendrore, pas dollarit amerikan. Ky ndryshim po sjell shqetësime serioze për stabilitetin financiar ndërkombëtar.

Sipas BQE-së, rritja e fortë e kërkesës për ar fizik, në krahasim me kontratat e së ardhmes (të ashtuquajturat “ari në letër”), mund të krijojë një pabarazi të rrezikshme në treg. Nëse shumë aktorë kërkojnë dorëzim real të arit sipas kontratave, bankat mund të mos kenë sasinë e nevojshme për të përmbushur angazhimet. Kjo situatë, e panjohur më parë në përmasa të tilla, mund të çojë në vështirësi të thella likuiditeti e madje edhe në falimentim të bankave të caktuara, transmeton albinfo.ch.

Ekspertja financiare Tonia Zimmermann shpjegon se shumë institucione mbajnë vetëm një pjesë të vogël të arit si rezervë, ndërsa pjesa tjetër ekziston vetëm në formë kontratash. Në rast të një vale kërkesash për ar fizik, furnizimi i kufizuar dhe çmimet e larta mund të vënë sistemin bankar nën presion të madh.

Çfarë rrezikohet konkretisht?

Pamundësia për të dorëzuar ar real sipas kontratave

Rritje e çmimit të arit në tregjet globale

Vështirësi në zinxhirët e furnizimit

Potencial për kriza bankare të izoluara

BQE thekson se për momentin situata është e qëndrueshme, por skenarët e rrezikut nuk përjashtohen nëse trendi vazhdon.