Lajme

Presidentja Jahjaga u takua me Stefan Fule

Komisionari Fule ka theksuar se Kosova duhet të intensifikojë zbatimin e reformave për realizimin e aspiratave për integrim në BE.

 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë zyrtare treditore në Bruksel, ka zhvilluar një takim pune me Stefan Fule, Komisionar i BE për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë.

 

“Në takim u diskutua progresi i Kosovës në procesin e integrimit evropian, si dhe mundësia e avancimit të Kosovës dhe BE-së në nivel kontraktual, në përputhje me rekomandimet e mëhershme të Komisionit Evropian”, thuhet në njoftimin e presidencës.

 

Sipas njoftimit presidentja Jahjaga ka theksuar se marrëdhënia kontraktuale me BE-në do të ndihmonte Kosovën në rrugën e integrimeve dhe në thellimin e reformave të brendshme.

 

Gjithashtu presidentja Jahjaga ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet shtesë që janë kërkuar për hapje të dialogut për liberalizim të vizave dhe theksoi nevojën e fillimit të këtij procesi pa vonesë.

 

Nga ana tjetër komisionari Fule ka theksuar se Kosova duhet të intensifikojë zbatimin e reformave për realizimin e aspiratave për integrim në BE.

 

Fule gjithashtu e paralajmëroi vizitën e misionit vlerësues të Komisionit Evropian për të parë zbatimin e obligimeve të Kosovës për hapjen e dialogut për liberalizim të vizave.