Kosova
Presidentja e Kosovës do t’i inkurajojë partitë për bashkëpunim për të shmangur bllokadat
Osmani “do t'i inkurajojë” partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta theksojë rëndësinë e miratimit të buxhetit të Kosovës si dhe miratimin e Planit të Rritjes së BE-së gjatë bisedimeve të ardhshme me partitë politike, tha për Radion Evropa e Lirë këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, pasi shoqëria civile në vend i bëri thirrja asaj t’i bashkojë partitë për ta miratuar buxhetin e ri.
“Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit”, tha Kupina të martën, transmeton albinfo.ch.
Ai shtoi se Osmani “do t’i inkurajojë” partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Osmani pritet t’i thërrasë për konsultime partitë politike së shpejti, pasi të dielën, mandatari i parë për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, dështoi t’i fitojë votat e nevojshme për një mandat të tretë.
Kosova e bëri Kuvendin e ri muaj më parë, por dështimi javën e kaluar për ta formuar një qeveri të re, ka rritur rrezikun që vendi të hyjë në vitin 2026 pa buxhet.
Në një letër drejtuar Osmanit, 21 organizata të shoqërisë civile thanë se mungesa e buxhetit të ri do të paralizonte pagesat për pagat e mësimdhënësve, mjekëve, administratës publike, për transferet sociale të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës, realizimin e punëve publike, dhe më shumë.
“E ardhmja financiare e vendit dhe mirëqenia e qytetarëve nuk duhet të bëhen peng i bllokadave politike. Ne besojmë se përvoja, autoriteti dhe roli juaj unifikues si presidente mund të jenë përcaktues për të shmangur një krizë që do të prekte shumë familje në Kosovë”, thuhet në letër.
Këto organizata i propozuan presidentes, siç thanë, disa “rrugë të mundshme ligjore dhe të zbatueshme”.
Ato kërkojnë që Qeveria në detyrë ta dorëzojë në Kuvend projektligjin e buxhetit për vitin 2026, apo Kuvendi i tanishëm të paktën ta votojë një zgjatje të buxhetit të tanishëm deri në fund të muajit mars 2026. Ato gjithashtu kërkojnë ratifikimin e Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, Marrëveshjes së Facilitetit, dhe Marrëveshjes së Huas.
Plani i Rritjes përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.
Nga kjo paketë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, por mosratifikimi i marrëveshjes me bllokun ka bërë që ajo të mos jenë në gjendje ta marrë asnjë qindarkë ende nga kjo shumë.
Por, a mund një Qeveri në detyrë të bëjë buxhet të ri?
Shumë ekspertë ligjorë vlerësojnë se Qeveria në detyrë nuk mund dhe nuk ka kompetenca për të propozuar buxhet për miratim në Kuvendin e ri të vendit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të hënën, eksperti i financave, Haki Shatri, tha se vetëm një qeveri me kompetenca të plota mund të ndërmarrë nisma për ndryshimin e ligjit për buxhetin, apo për vazhdimin e ndarjeve buxhetore edhe për muajt e parë të 2026-tës.
“Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje që të funksionalizohet një e dymbëdhjeta e buxhetit në janar, edhe tërmet të ketë, nuk guxon askush të ndërmarrë asgjë”, tha ai.
Buxheti i përgjithshëm i shtetit për vitin 2026 pritet të arrijë në rreth 3.5 miliardë euro.
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave shtoi se pa një qeveri të re, në janar s’do të ketë para as për ushtrinë e Policinë.
Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus shkroi të martën në Facebook se Qeveria në detyrë – e zgjedhur nga legjislatura paraprake – nuk mund të propozojë projektligjin për buxhetin vjetor për legjislaturën e re.
“Kuvendi, që ende nuk ka zgjedhur qeverinë e re, nuk mund të miratojë ligje pa pasur qeverinë e vet që t’i zbatojë. Rregullorja e Kuvendit parashikon që projektbuxheti të shqyrtohet nëpër komisione parlamentare – komisione që ende nuk janë themeluar”, shkroi ai.
Ai tha se duhet të bëhet i qartë dallimi mes Qeverisë në dorëheqje dhe Qeverisë në detyrë, duke shpjeguar se Qeveria në dorëheqje është ajo që gjatë mandatit të saj, pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit, vazhdon të ushtrojë funksionet deri në formimin e qeverisë së re, duke pasur ende Kuvend funksional, komisione të themeluara dhe kanale komunikimi Qeveri–Kuvend.
Ndërsa, sipas tij, Qeveria në detyrë është qeveri e zgjedhur nga legjislatura paraprake, që nuk ka lidhje institucionale me legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet.
“Prandaj, sipas Ligjit për Qeverinë, qeveria në dorëheqje mund të propozojë projektligjin për buxhetin, ndërsa kjo e drejtë nuk i njihet qeverisë në detyrë”, shtoi ai.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shkroi në Facebook të hënën se Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të propozojë buxhetin, e as Kuvendi nuk ka të drejtë ta votojë propozimin e buxhetit të kësaj Qeverie në detyrë.
“Qeveria në dorëheqje i referohet një qeverie që është zgjedhur nga një legjislaturë e caktuar, e që vazhdon punën deri në momentin e zgjedhjes së Qeverisë së re, dhe jo në rastet kur Qeverisë i ka përfunduar mandati. Në rastin konkret, Qeveria në detyrë nuk është zgjedhur nga kjo legjislaturë dhe nuk i takon asaj”, shkroi ai.
E-Diaspora
-
RAI Calabria i jep zë identitetit arbëresh përmes dokumentarëve RAI Calabria po vazhdon angazhimin e saj në dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë arbëreshe në Itali.... -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Duartrokitet shfaqja e filmit “Shame and Money” të Visar Morinës në Amerikë -
Hamburg
Promovohet libri “Skënderbeu – Një hero arbëror i Evropës” më 7 shkurt në Hamburg -
Diaspora
Diaspora rrit të ardhurat e Kosovës +4% më shumë në vitin 2025
Jeta në Austri
-
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta Në shkurt, qeveria do të heqë taksën e duhanit. Disa çmime u rritën që në janar,... -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç -
Austri
Rinesa Salijaj nga Istogu, kandidate për Asamble Komunale në St.Pölten të Austrisë











