CH-Ballkani

Preshevë, Telekomi serb dhe EPS paguajnë 800 mijë euro taksën për shtyllat

Shumë prej 800 mijë eurove, është një shumë e jashtëzakonshme për Preshevën dhe buxhetin e saj, i cili në total gjatë këtij viti ishte 10 milionë euro

Për here të parë në historikun e komunës, Presheva ka arritur t’i detyrojë dy kompanitë e mëdha të Serbisë, Telekomin serb dhe ElektroDistribucionin e Serbisë, që të paguajnë taksa për shtyllat elektrike që i kanë vendosur në Preshevë, që nga koha e krijimit. Qyteti i Preshevës, siç thuhet, kishte mbetur i fundit në Serbi, që nuk merrte taksë nga këto dy kompani.

Sipas një njoftimi që kishte lëshuar kjo komunë, buxheti i Preshevës u rrit për 800 mijë euro, pasi kryetari i saj, Shqipërim Arifi, arriti pas shumë përpjekjesh që ti inkasojë taksat nga shfrytëzimi i shtyllave që janë vendosur në këtë komunë, që nga momenti i krijimit të tyre në kompani, njofton infopress.

Shumë prej 800 mijë eurove, është një shumë e jashtëzakonshme për Preshevën dhe buxhetin e saj, i cili në total gjatë këtij viti ishte 10 milionë euro. Shuma prej 10 milionë eurove u arrit pasi kryetari i Preshevës Shqipërim Arfi, siguroi donacione në shumën prej 2.5 milionë euro, mbi buxhetin e rregullt që ishte afërsisht prej 7 .5 milionë eurove.

“Presheva, ishte qyteti i fundit në Serbi, i cili nuk merrte asnjë shumë nga këto dy kompani gjigante. Buxheti komunal i Preshevës, vetëm sot, para pak çastesh i inkasoi në xhirollogarinë e vet 84.391.972.oo dinarë nga ElektroDistribucioni i Serbisë dhe 4.491.781 dinarë nga Telekomi serb, në total rreth 800.000.oo €uro si obligim ligjorë për shfrytëzimin e tokës preshevare për infrastrukturën e EPS dhe Telekom”, konfirmoi kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, i cili është njëkohësisht është edhe kryetar i Alternativës për Ndryshim.

Sipas tij, kurrë më par nuk ka ndodhur që këto dy kompani të paguajnë taksë, ashtu siç veprohet normalisht sepse njerëzit që kanë udhëhequr pushtetet e mëparshme, kanë parë interesat e tyre dhe kanë sakrifikuar inkasimin e taksës për të mirën e përgjithshme.