Gjuha

Portrete të mërgimtarëve në Gjenevë

Në historikun e LAPSH-së, 16 vite të Agim Paçarizit, historian e thurrës i historisë

Të paraqitësh për lexuesit tanë aktivitetin shumëvjeçar të atyre që punuan në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe në mërgatë është përgjegjësi dhe njëkohësisht detyrë e jona qytetare përmes së cilës pjesërisht ndihmojmë edhe të shkruarit e historisë së krijimit të shtetit të Kosovës.

Janë breza të tërë që e sollën Kosovën aty ku ajo është sot. Në mërgatë ne njohim valë të shumta të imigrimit nga Kosova. Secila „valë“ e ka mbajtur të ngrohtë Kosovën. Veçmas kësaj radhe do të ndalem tek vitet e ’90-ta kur shumë të rinj nga Kosova atëbotë, studentë, shërbyes ushtarak të një regjimi pushtues apo edhe ligjërues në shkolla e universitete të Kosovës u detyruan t’i lënë vatrat familjare. Rrugëtimi i tyre më i shpeshtë të çonte në Maqedoni, Shqipëri, Itali e deri tek stacioni i fundit në Zvicër. Ata që erdhën në këtë vend priteshin nën ethe nga bashkatdhetarët e tyre. Ardhja e tyre përforconte ata, por njëkohësisht edhe lajmëronte zgjerimin e dhunës në atdheun e tyre. Ata nuk priteshin me lule. Njëmijë e një procedura administrative ushtronte Konfederata Helvetike për t’i strehuar në gjirin e saj.

Çfarë ishte fati i tyre pastaj ?

Kësaj here, me rastin e Kuvendit të LAPSH-së në Gjenevë, do të ndalemi tek kryetari i saj, Agim Paçarizi i cili më 28 shkurt largohet nga ky post.

„Në vitet e ’90-ta kur erdhëm në Zvicër, ishim të shumtë që ishim të detyruar të lëmë ditarin e shkollës dhe të ikim”. Edhe unë si shumë të tjerë, në prill të vitit 1994, për t’i ikur burgjeve të një regjimi barbar, kam zgjedhur rrugën për në shtetet perëndimore. Në korrik të po atij viti vij në Zvicër. Përshtatja ime në këtë shtet nuk ishte fare e lehtë. Më është dashur shumë kohë që të pajtohem me fatin, ta pranoj veten time në një shoqëri të re ku dallimi social ishte shumë i theksuar dhe se vendi im në këtë shoqëri duhej të krijohej me shumë përpjekje“, rrëfen Paqarizi për Albinfo-n.

Megjithatë, në mesin e bashkatdhetarëve tuaj ju keni gjetur ngrohtësi?

„Po, në Gjenevë kam gjetur e krijuar shumë miq me të cilët mandej kam punuar në kuadër të aktiviteteve që zhvilloheshin drejt realizimit të aspiratave për demokraci në Kosovë apo edhe për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe tek fëmijët këtu“.

Agimi, i lindur në vitin 1955 në Dragobil të Malishevës, më 1979 në Fakultetin filozofik të Prishtinës diplomon në degën e Historisë. Meqë atëherë mungonte kuadri i diplomuar, i kërkohet të fillojë punën menjëherë në shkollën e mesme të Rahovecit. Ai punoi në mësimdhënien e lëndës së historisë në Rahovec, Malishevë e Ratkovc. Plot elan, i posa dalë nga universiteti, me njohuri të mjaftueshme rreth vuajtjeve të popullit shqiptar, Agimi e kishte të pamundur mos të përcillte ato te nxënësit e tij.

Por, ngjarjet e vitit 1981 ndryshuan shumëçka në Kosovë, dhe pikërisht në marsin e demonstratave „rastësisht“ profesori i historisë gjendet në Prishtinë më 11 mars por edhe me 26 mars ku edhe nuk i shpëton syrit të policisë. E mjaftueshme kjo për ta etiketuar pastaj si „nacionalist“ që te nxënësit i përcjellë këto ide.

Por ç’ndodhi?

Bashkë me shumë veprimtarë të tjerë të asaj kohe, arrestohem duke u dërguar fillimisht në burgun e Rahovecit, pastaj në Prizren dhe më në fund në burgun e Lipjanit në „izolim“ ku i kishin sjellë mbi 100 të tjerë, pa i kursyer edhe ata të vjetrit si Kadri Halimi etj.

“Pas heqjes së kësaj „mase“ dërgohem në shërbimin ushtarak, ndërkaq, në shkollën ku punoja më kishin larguar nga puna nën etiketën e „nacionalistit“. Kështu, pas kthimit i isha nënshtruar një pune që nuk kishte të bëjë me profesionin tim”.

Në vitin 1990, kur fillon organizimi i sistemit paralel të shkollës shqipe në Kosovë, ai i kthehet me padurim ditarit që e priste.

„Më 1990 kam rifilluar mësimdhënien në shkollën e Mesme në Kijevë të Malishevës, deri në fund të vitit 1993, ku kalova në gjimnazin „ Abdyl Frashëri “ të Malishevës. Por në prill të vitit 1994, bastisem egërsisht nga forca policie dhe arrestohem me motivin se kinse kemi grumbulluar armë për aksione kundër regjimit. Ishte shumë e rëndë për mua por, u desh ta marr rrugën e mërgimit. Dhe fati e deshi që të vij në Gjenevë”.

Cili është aktiviteti juaj këtu?

„Kam paraqitur kërkesën për strehim politik dhe, kërkesa ime u pranua, pas 1 viti e gjysmë. Dy vite kam qëndruar i vetëm në Gjenevë gjegjësisht deri më janar të vitit 1996 kur më bashkohen edhe bashkëshortja e fëmijët e mi. Aktivitetin tim këtu e kam filluar po këtë vit, si mësimdhënës pranë LAPSH-së në kantonin e Gjenevës“.

Nga Agimi mësojmë se mësimdhënës i gjuhës shqipe ka punuar prej vitit 1996 deri më 1998. Më 1999 angazhohet nga Fondacioni i Animacionit Sociokulturor të Gjenevës që të punojë në „Klasat e pritjes“ për fëmijët shqiptarë të ikur nga lufta e Kosovës. Më pastaj ai angazhohet në udhëheqjen e LAPSH-së në Gjenevë e që të gjithë e njohin prej atëherë punën e tij të pa rezervë në organizimin e kësaj shoqate.

“LAPSH “Naim Frashëri“ ka për qëllim ngritjen e vetëdijes të bashkëkombësve tanë në Zvicër për sa i përket rëndësisë së gjuhës amtare dhe vlerave të tjera kulturore, formimit të identitetit individual e kolektiv kulturor e interkulturor, etj.”, numëron Paqarizi disa nga synimet e LAPSH-së

Si funksionon sot LAPSH-ja në Gjenevë?

“Ajo ka ruajtur qëllimin e saj por ka modifikuar statusin që tregojnë edhe rezultatet që kanë rrjedhur nga puna e bërë në këtë shoqatë. Ne në Gjenevë jemi LAPSH-ja e vetme që kemi mbështetje financiare nga Qeveria kantonale dhe shume autoritete komunale ku e zhvillojmë mësimdhënien e gjuhës dhe kulturës së origjinës. E ndjej të nevojshme të falënderoj nga zemra autoritetet vendase në Gjenevë të cilat nga viti 2000 deri me tani na kanë dhënë ndihmë financiare me mbi 600 mijë Fr.“

Sot kur po largoheni nga posti i kryetarit të kësaj shoqate, çka do t’i dëshironi asaj?

“Së pari do t’i kisha falënderuar të gjithë ata që e ndihmuan funksionimin e saj, duke filluar nga ata që fillimisht ndihmonin për formimin e klasave duke regjistruar fëmijët, anëtarët e kryesisë, duke ndihmuar në mbarëvajtje. Një falënderim të veçantë gjithë mësimdhënësve që herë herë u detyruan të punojnë pa asnjë pagë, e që ndonjëherë deklaronin edhe me shkrim se nuk do ta lënë këtë punë të shenjtë edhe po qe se nuk ka mjete fare. Por, mos të harrojmë se ky mund, kjo sakrificë e të gjithë atyre që dhanë dhe po japin për mbarëvajtjen e shkollës shqipe, po kurorëzohet me sukses, sot gati nuk ka familje shqiptare në Gjenevë që së paku nuk e kishte, apo nuk e ka një student duke vazhduar shkollimin e lartë në Universitetin e Gjenevës, e shumica nga ata ishin nxënësit tanë. Kjo është pasuria jonë dhe ne jemi shumë të lumtur që ata ndjehen krenar dhe e din se kush janë, nga vijnë dhe ku shkojnë. Unë personalisht pra, pres prej tyre që tani ata ta vazhdojnë aktivitetin e kësaj shoqate duke vënë në shërbim të saj njohuritë që kanë zënë në një sistem të denjë shkollor e demokratik siç është sistemi shkollor në Zvicër. Ne kemi punuar për fëmijët tanë dhe uroj që ata ta përcjellin punën tonë me sukses edhe tek brezat e rinj që do të vijnë.

Ruajtja e gjuhës dhe e kulturës së origjinës është e shenjtë, andaj lus brezin e ri që ta kultivojë atë dhe të jetojë ballëhapur nën identitetin e tij në shoqërinë zvicerane e kudo që të jetë. Faleminderit Gjenevë“